Kriza reale e opozitës dhe lëvizja e re politike!

Nga Alfred Peza –
Duke dashur ta dëmtojë, lodhë, çorganizojë, dobësojë, përçajë, ta shkatërrojë mundësisht dhe për pasojë, ta rrëzojë qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama, në fakt opozita ka treguar se po bën krejt të kundërtën. Kjo luftë me sulme të pashembullta verbale, mediatike, publike, politike, protesta, kurthe, me të pavërteta, me akuza për të cilat janë shpallur vetë fajtorë për shpifje nga gjykatat dhe me njëmijë e një intriga të tjera, në vend që të përçajnë mazhorancën, në fakt nuk po bëjnë gjë tjetër, por veç po shkatërrojnë opozitën me duart e tyre.

Ku duket kjo dhe pse të gjitha rrugët e asaj që po ndodh me politikën, të çojnë vetëm tek një pikë. Tek një konkluzion. Tek një nevojë dhe tek një zgjidhje? Tek krijimi i një lëvizje të re politike, për të shpëtuar të djathtën shqiptare. Duke i dhënë në këtë mënyrë shumë më tepër shanse, edhe të majtës për tu riorientuar dhe riformatuar, në përputhje me nevojat e kohës dhe sfidave të së ardhes. Sepse duket një qasje e epokës së re të revolucionit të teknologjive digjitale, internetit, rrjeteve sociale, informacionit pa kufij dhe mundësive të pafund për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve e mallrave.

Eshtë e paprecedentë në historinë e demokracive normale e funksionale, në sistemet e një bote demokratike e pluraliste, që opozitat e grupeve të ndryshme të interesit, të jenë kundër opozitës së vetme zyrtare të vendit. Nuk është fjala këtu për antiopozitarizmin, si një sjellje, vijë, qëndrim, kulturë që gjallon për arësye nga më të ndryshmet. Por, është fjala për grupe që janë në opozitë me qeverinë për çështje apo probleme që i shqetësojnë realisht në jetën e tyre, të cilat në momentin që opozita tenton që tu bashkohet, ato e refezojnë kategorikisht.

Të tilla kanë qenë protestat e banorëve të Kukësit, që u ngritën kundër çmimit të taksës për kalimin e automjeteve në Rrugën e Kombit e deri tek studentët e vërtetë, që u ngritën në dhjetor (2018) derisa artikuluan dhe i dorëzuan qeverisë 8 kërkesat e tyre të drejta. Në të gjitha rastet e fundit të protestave qytetare, ka marë trajtë dhe është formësuar një trend i ri. Një qasje e re dhe e panjohur më pare, e cila po fiton qytetari dalëngadalë. Eshtë fjala, për rritjen e kulturës së protestës qytetare, por pa patur nevojën e mbështetjes politike në përgjithësi dhe të partive opozitare në veçanti.

Ky refuzim më shumë sesa tregues i një fenomeni të panjohur zhvillimesh të brendshme dinamike të shoqërisë, është një prirje antipolitikë. Një prirje anti opozitë. Një prirje anti lidership politik opozitar. Një prirje anti elitë politike opozitare. Sepse është kuptuar tashmë se asaj i ka humbur misioni. I ka humbur qëllimi. I ka humbur frymëzimi. I ka humbur kauza. I ka humbur projekti. I ka humbur strategjia. E vetmja gjë që i ka mbetur, është nevoja e saj e madhe e brendshme ekzistenciale, për ta mbajtur në këmbë me çdo çmim tensionin artificial politik, për mbijetesë.

Një nevojë mbijetese që lidhet jo edhe aq me dëshirën e pangushëllueshme për rikthimin një minutë e më parë në pushtet në këtë rast. Por, me nevojën për të vonuar ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, fillimin e funksionimit të sistemit të ri, me efiçiensë të plotë. E për rrjedhojë, kjo lidhet me frikën e parrëfyer për tu përballur nesër, me “vettingun” 30 vjeçar që SPAK dhe BKH do ti bëjë të gjitha bëmave dhe gjëmave, të elitës së kriminalizuar e të korruptuar politike të Shqipërisë. Këtë e ka kuptuar instikti i pagabueshëm popullor, ndaj ka refezuar prerë, që të bëhet mburojë njerëzore për ata që kërkojnë ti përdorin si mish për topat e frikërave të tyre juridike.

Në këtë atmosferë, ka nisur edhe krisja, përplasja dhe përçarja brenda kampit të madh opozitar. E cila në vend që të kompaktësohej, sa më shumë që qëndron në opozitë e i afrohet zgjedhjeve të reja lokale të qershorit, ajo aq më shumë po përçahet. Janë shtuar zërat brenda të djathtës që kritikojnë ashpër strategjinë e lidershipit të tyre, që e ka personalizuar luftën politike duke e lidhur atë vetëm me një emër. Me emrin e Edi Ramës. Kjo dhe të ndjerët të përdorur dhe të mashtruar në kërkesat e tyre për reformën e re elektorale, partitë e vogla opozitare, por të shumta në numër, kanë nisur punën për tu shkëputur e për të krijuar një pol të tretë në skenën politike shqiptare.

E si të mos mjaftonin të gjitha këto, zërat e aktorëve të rëndësishëm të politikës së djathtë, janë drejt artikulimit dhe besohet konkludimit, për të krijuar një lëvizje të re politike opozitare. Një lëvizje e re e cila sipas ish Kryeparlamentares Jozefina Topalli do të lindë për shkak të një vakumi të frikshëm dhe të tmerrshëm që ka lindur në skenën politike shqiptare, nga refuzimi që opozitarizmi i ka bërë asaj që quhet “opozita formale” e këtij vendi. Ndërsa Astrit Patozi, ish Nr. 2 i PD, thotë se “do isha i prirur për një lëvizje të re politike, të djathtë, sepse e djathta ka më shumë nevojë.”

E si në atë thënien e njohur të Konfucit “turbullohu, kthjellohu”, opozita jonë duket në fazën e turbullirës së brendshme të  madhe, që pritet të pasohet nga një kthejllim i ri. Në këto kushte, duket e pashmangshme lindja e një lëvizje të re politike, brenda së djathtës. E cila më shumë se çdo gjë tjetër, duket produkt i një krize të vjetër e të pashërueshme, brenda kampit të opozitës sonë.

Alpenews.al

SHKARKO APP