Kur e kisha Kadarenë ndihmës në uzinë

Në vitet ’70 Bashkim Bardhi punonte në Tornerinë e Uzinës së Autotraktorëve, kur i sollën një ndihmës të pazakontë…shkrimtarin Ismail Kadare, i dërguar atje për riedukim. Vitin e kaluar, Bardhi e pa veten në kopertinën e librit “Kadare i denoncuar” në një fotografi shkrepur nga Petrit Kumi në repartin ku ai dhe Kadareja punonin. Në mbyllje të Panairit të Librit, ai dhe bashkëshortja, që e kish pasur po ashtu ndihmës shkrimtarin, takuan autorin e librit, Dashnor Kaloçin

Personi që ka dalë në foto këtu me Dashnor Kaloçin, autorin e librit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave” quhet Bashkim Bardhi dhe është punëtori që shfaqet në fotografi me shkrimtarin Ismail Kadare, në kopertinën e librit “Kadare i denoncuar”, që u botua vitin e shkuar nga UET Press.

Bashkimi është me origjinë të hershme nga Kruja dhe ka jetuar në Tiranë. Ka punuar si Përgjegjës Reparti në Tornerinë e Uzinës së Autotraktorëve dhe njëkohësisht sekretar i organizatës së Partisë në fillimin e viteve ‘70 kur atje ishte dërguar Kadareja për stazhin e Partisë (në të vërtetë riedukim) pasi sapo kishte botuar Dimrin e Madh, roman që u sulmua ashpër.

Bashkimi kujton se e mbante afër Kadarenë, por edhe e kritikonte kur vinte me vonesë.

Ismaili i dhuroi Bashkimit romanin Dimri i Madh, libër të cilin ia morën për ta lexuar e nuk ia kthyen më. Kjo i mbeti peng, sepse nuk mund t’i kërkonte dot kopje tjetër.

Por edhe në librari kishin mbaruar.

Edhe bashkëshortja e Bashkimit që shfaqet në këtë foto, punonte po aty dhe ajo e kishte Kadarenë si ndihmës.

Ajo kujton se Ismaili, sa herë vinte në punë u jepte dorën edhe pse e kishin me vaj e graso. Të dy bashkëshortët Bardhi që nga ajo kohë nuk kanë pasur më rast ta takojnë ish-ndihmësin e tyre, Kadarenë.

Ata erdhën në Panairin e Librit për të takuar autorin Dashnor Kaloçi dhe për ta falënderuar që e ka nxjerre foton e tyre në kopertinën e librit, foto të cilën ua ka bërë atëherë Petrit Kumi, fotoreporteri i njohur i organeve të shtypit të asaj kohe.

Por arsyeja kryesore që ata shkuan në Panair për të takuar autorin e librit pasi kishin dëgjuar se Kaloçit i kishin thënë se Bashkimi nuk jeton më.

“Por e kanë ngatërruar se kemi qenë dy, Bashkim Bardhi dhe ai nuk jeton”, shprehet Bashkimi, i cili thotë se ruan kujtimet e mbresat më të mira për ish-ndihmësin e tij, që tashmë është bërë një emër i madh edhe në botë. MAPO

SHKARKO APP