Kur kam parë boks në kanalet e huaja dhe Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizion, kam thënë …

Dashnor Kaloçi

Pjesa e dytë

Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të cilat janë pjesë e një dosje voluminoze të nxjerrë nga Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (A.I.D.S.SH) ku bëhet fjalë për Bujar Muharrem Dokun, ish-punonjës i Ndërrmarjes Komunale të qytetit të Burrelit me profesion radio-teknik në repartin e Riparim-Shërbimeve, ku ai shërbeu nga viti 1964 deri në vitin 1977, kur u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe u dënua me 7 vjet heqje lirie për “veprimtari armiqësore”, me akuzën e “agjitacion-propagandës”, etj. E gjithë dosja hetimore dhe gjyqësore e Bujar Dokut, me akuzat ndaj tij si dhe me emrat e Punëtorëve Operativë, drejtuesëve të Degës së Punëve të Brendëshme të rrethit të Matit, hetuesëve, prokurorëve, gjyqtarëve, dëshmitarëve, e deri tek punonjësit e ndërrmarjes ku ai punonte, të cilët dëshmuan në hetuesi dhe në gjyqin kundër tij.

“I pandehuri Bujar Doku, duke qënë një element i degjeneruar, si dhe duke bërë një jetë të ç’thurur, i predispozuar për t’ju kundërvënë vijës politike, dhe praktikës revolucionare të partisë dhe shtetit tonë, i zhytur fizikisht dhe ndërgjegjërisht në propagandën e fëlliqur të armiqve të jashtëm të RPS të Shqipërisë, të social-imperialistëve sovjetikë, është futur prej kohësh në rrugë koshiente, në veprimtari armiqësore prej disa vitesh, dhe në takime me njerëz të kallëpit të tij, ka zhvilluar një aktivitet të vazhdueshëm agjitacioni dhe propagande kundër pushtetit popullor, kundër vijës politike të partisë sonë, me qëllimin direkt që të minojë dhe shkatërrojë pushtetin e klasës, dhe diktaturën e proletariatit në vëndin tonë.

Ndryshe nga i gjithë populli, ky i pandehur mendonte se prishja e marrdhënive ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, ishte për fajin e Partisë sonë. Këto mendime ia ka shprehur dëshmitarit J. P ., duke i thënë se udhëheqja sovjetike është në rrugë të drejtë, ndërsa ajo shqiptare është në rrugë të gabuar, dhe këto nuk ndjekin një politikë të pavarur. Ai e shtrin aktivitetin e tij armiqësor më thellë duke thënë se qeveria shqiptare. Qeveria shqiptare njëherë deklaron se jemi me jugosllavët, pastaj me sovjetikët, ndërsa tani është prishur me të dyja këto vënde. I pandehuri në bisedat që ka zhvilluar me këtë dëshmitar, ka mburrur muzikën e huaj, sidomos atë italiane dhe jugosllave, duke i krahasuar ato me atë shqiptare. Ai ka thënë se muzika jonë, nuk është gjë në krahasim me këto të dyja. Po kështu i pandehuri Bujar Doku duke rënë në prehrin borgjezo-revizionist të armikut të brëndshëm, është bërë tellalli i zakonshëm, i tyre. Ai, injoron muzikën tonë të bukur që pëlqehet nga njerëzit, sepse është e bazuar në tabanin popullor, dhe ajo i këndohet punonjësve tanë dhe veprave madhështore, që ja ndryshuan pamjen atdheut….”!

Kështu thuhet në mes të tjerash në dosjen hetimore dhe gjyqësore të Bujar Dokut, ish-punonjës në Ndërmarrjen Komunale të qytetit të Burrelit, me profesion radio-teknik në Repartin e Riparim Shërbimeve, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në qershorin e vitit 1977 dhe u dënua me shtatë vjet heqje lirie “për veprimtari armiqësore” me akuzën e “agjitacion-propagandës”, etj. Lidhur me këtë, Memorie.al disponon dosjen e plotë në ngarkim të Bujar Dokut, e cila është nxjerrë nga Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (A.I.D.S.SH.) dhe do ta publikojë në disa numra rradhazi, (me faksimilet përkatëse dhe në versionin origjinal siç janë shkuar nga autoritetet përkatëse të asaj kohe) së bashku dhe me një intervistë të djalit të tij, Muharrem Dokut, me profesion jurist dhe me banim në qytetin e Durrësit.

                                                                Vijon nga numri i kaluar

Bujar Doku: Nuk kam bërë biseda me karakter armiqësor për aksionet, është shpifje e ndërmarrjes

                                                                   PROÇES – VERBAL

I PYETJES SË TË PANDEHURIT BUJAR DOKU

Në Burrel sot më datën 10.7.1977, unë hetuesi Ligor Thomollari morra në pyetje të pandehurin Bujar Doku

Pyetje: Na jepni shpjegime të hollësishme në lidhje me fajësinë tuaj.

Përgjigjie: Po të doni më ndihmoni në këtë drejtim duke më thënë se çfarë kam thënë kundër Pushtetit Popullor, mbasi mua vetë nuk më kujtohet asgjë që të kem folur kundra Pushtetit Popullor dhe Partisë.

Pyetje: A keni shkuar ndonjëherë në aksionet që ka organizuar partia dhe nëqoftë se po, si i keni prituar këto?

Përgjigjie: Unë kam shkuar në aksionet që janë organizuar nga Partia, në ato aksione kam shkuar për veten time, nuk mbaj mënd vetëm se kam shkuar kur ka shkuar kolektivi i ndërmarrjes sime. Unë aksionet i kam mirëpritur dhe së bashku me shokët kam punuar duke realizuar edhe normën.

Pyetje: Çfarë bisede me karakter amriqësor keni bërë në lidhje me aksionet?

Përgjigjie: Unë për veten time nuk kam bërë ansjë bisedë me karakter armiqësor në lidhje me aksionet. Në qoftë se keni të dhëna se kam bërë biseda me karakter armiqësor në lidhje me aksionet, dua të them se këto janë çpifje dhe këtë gjë ma ka bërë ndërmarrja.

Pyetje: përse ta ka bërë ndërmarrja?

Përgjigjie: Sepse me drejtorinë e ndërrmarjes unë nuk kam shkuar mirë.

Pyetje: Në çfarë aksjonesh keni shkuar?

Përgjigjie: Unë kam shkuar me qindra herë në aksione dhe nuk I mbaj mënd se në çfarë aksionesh kam shkuar, por unë them se kam shkuar në aksion në Uzinën e Ferro Kromit vjet, mirë nuk më kujtohet, në hapjen e kanalit të ujësjellësit, sivjet në muajin prill 1977, në prashitjen e misrit, në korrjen e grurit dhe të misrit, si në Kooperativën Bujqësore Kurdari – Gurrë, në Baz, në Komsi, në Laç – Bruç, në fermë.

Pyetje: Sa ditë keni shkuar në aksione?

Përgjigjie: Unë kam shkuar në aksione, me një ditë, me 5 ditë dhe me 7 ditë. Kur kam shkuar me 5 ditë dhe me 7 ditë siç është rasti në Laç Bruç, jemi paguar në bazë të normës që kemi realizuar. Këto aksione, vitet e fundit, në 1976 – ’77, se më përpara nuk jemi paguar.

Procesi mbasi u lexua u firmos.

I pandehuri                                                                     Hetuesi

Bujar Doku                                                               Ligor Thomollari

 

                                                     PROÇES – VERBAL

I PYETJES SË TË PANDEHURIT BUJAR DOKU

Në Burrel sot më datën 11.7.1977, unë hetuesi Ligor Thomollari morra në pyetje të pandehurin Bujar Doku.

Pyetje: Çkeni për të thënë në lidhje me fajësinë tuaj?

Përgjigjie: Unë në drejtim të fajësisë sime, them se përderi sa jam arrestuar, kam bërë faj. Këtë e them, mbasi tani po i bëj analizë vetes sime, se pa faj nuk më keni arrestuar. Mua tani për tani nuk më kujtohet ndonjë gjë, por kur të më kujtohet do t’ua them. Pa folë në drejtim të fajësisë sime, nuk do të rri.

Procesi mbasi u lexua u firmos.

 I pandehuri                                                                    Hetuesi

Bujar Doku                                                               Ligor Thomollari

 

“Kur kam parë boks në televizion, kam thënë: gjynah që e hoqën boksin”!

Rimerret në pyetje i pandehuri, Bujar Doku më datën 12.7.1977

Pyetje: Na jepni shpjegime në drejtim të fajësisë suaj.

Përgjigjie: Juve më keni pyetur në drejtim të aksionit se çfarë kam për të thënë. Për këtë dua të them se në një rast, në muajt prill ose maj, mirë nuk më kujtohet, kur kam qenë në aksionin e hapjes së kanalit të Ujësjellësit, kam parë se nuk e kam realizuar normën vetë dhe me shokët dhe për këtë gjë kam thënë këtë ‘nuk e bëj dot normën’ dhe kështu këtë 15 ditësh do të dal keq. Se kush ka qenë me mua nuk më kujtohet, vetëm se them që kanë qenë shokë të ndërrmarjes sime që më kanë dëgjuar. Po kështu për rreth 3-4 vjetëve, më pak ose më shum nuk më kujtohet, kur kam parë boks në televizion që zhvillohej jashtë shtetit dhe që e jepnin stacionet e huaja, kam thënë që gjynah që e hoqën boksin. Këtë e kam thënë duke u nisur edhe nga ajo që më përpara kam qenë boksier dhe që e dashuroja sportin e boksit. Se kush ka qenë me mua tani për tani nuk më kujtohet dhe nuk e mbaj mënd nëse më përkrahën ose jo kur e kam thënë një gjë të tillë. Për sot unë kaq kam për të thënë, pasi kaq më janë kujtuar dhe herë tjetër kur të më kujtohen do të them.

Procesi mbasi u lexua u firmos.

 I pandehuri                                                                         Hetuesi

Bujar Doku                                                                    Ligor Thomollari

 

“Unë kam folur, nga trajtimi i keq që më ka bërë drejtori dhe sekretari i partisë”

                                                                    PROÇES – VERBAL

I PYETJES SË TË PANDEHURIT BUJAR DOKU

Në Burrel sot më datën 13.7.1977, unë hetuesi Ligor Thomollari morra në pyetje të pandehurin Bujar Doku.

Pyetje: Çkeni për të thënë në lidhje me fajësinë tuaj?

Përgjigjie: Unë dua të them se në ndërmarrje mua më kanë trajtuar keq. Jo vetëm mua, por edhe vëllanë. Kështu keq më ka trajtuar Ahmet Palamani si sekretar partie që ka qenë. Unë te ky shkoja për ta takuar dhe ky më thoshte se ti nuk ke të drejtë, ti duhet të zbatosh urdhërat e përgjegjësit që ishte në dyqan, si Rexhep Neli dhe Abaz Kadiu. Po kështu keq më ka trajtuar edhe kryetarja e degës së riparim – shërbimeve, Nika Treska, tek e cila kemi vajtur për t’u takuar, mbasi përgjegjësi nuk na jepte punë dhe kjo më thoshte shko te drejtori të të zgjidh problemin. Unë vajta te Nika pasi nga ajo vareshim, por ajo nuk më priste hiç mirë dhe më thoshte ik te drejtori. Kështu që nga trajtimi i keq që më kanë bërë këta si dhe Abaz Kadiu, unë edhe kam fol ndaj këtyre. Që kam folur unë shumë, kam fol sepse më eksitonte edhe shefi i llogarisë H. I., pasi edhe ky ka pas shkuar keq me drejtorin e ndërmarrjes. Ky më thoshte se drejtori ka hapur letrat e vjetra për atë defiçit unë nga viti 1969-1970, kërkon të më pushojë dhe të më hedh në gjyq. Unë H… i kam thënë se përse ma bën këtë drejtori, kur unë kam qenë dhe jam në rregull, H… më thoshte që ashtu siç ta bën ty, ma bën edhe mua.

Procesi mbasi u lexua u firmos.

I pandehuri                                                                Hetuesi

Bujar Doku                                                           Ligor Thomollari

 

“Kam thënë se nuk kemi ushqime për të marrë me vete në aksione, pasi nuk ka në dyqane”

                                                                    PROÇES – VERBAL

I PYETJES SË TË PANDEHURIT BUJAR DOKU

Në Burrel sot më datën 15.7.1977, unë hetuesi Ligor Thomollari morra në pyetje të pandehurin Bujar Doku.

Pyetje: Çkeni për të thënë në lidhje me fajësinë tuaj?

Përgjigjie: Unë agjitacion e propagandë kundër partisë dhe pushtetit nuk kam bërë, por them se mund të kem bërë pa dashje me ndonjë shprehje jo të rregullt, duke mos menduar se ajo ishte me zarar. Kështu kur shkonim në aksion me ditë të tëra të zgjatura, nuk kishim se çfarë merrnim me vete ushqim dhe jam shprehur duke thënë se nuk ka kurgjë në dyqane, me përjashtim të vezëve e djathit dhe mungon sallami, ose çdo gjë tjetër në çdo kohë. Ka pasur rast se kur shkonim ndonjëherë në aksion për vjelje misri, I cili ishte prishur nga mos bërja e shërbimeve në kohën e duhur dhe kam thënë se humbasim ditët kot që nuk punojmë në lokalet tona, por vijmë këtu. Kooperativa nuk ka ku ta strehojë bereqetin që vjelim ne. Se ku e kam thënë këtë nuk e mbaj mënd, vjet a parvjet, por më duket se e kam thënë në Suç. Po kështu nuk më kujtohet se kush ka qenë. Siç e kam thënë dhe më përpara, se kundër drejtorit të ndërmarrjes jam shprehur skeptik, nga që vuaja nga ana ekonomike, bile kam arrit e kam thënë: si nuk e shef Komiteti i Partisë së rrethit këtë gjë që drejtori po bën gjithë këto gjëra në ndërmarrjen tonë, si në repartin e këpucarisë, berber, trikotazh, radioteknik e të tjerë. Këto i kam thënë pasi drejtori na bënte reklamë të keqe në popull, duke thënë se nuk kam specialistë të mirë për këto profesione. Kështu që nga trajtimi i keq që më bëhej në ndërmarrje si dhe që nga gjëndja e keqe ekonomike I ime, unë e pata humbur dhe mund të kem bërë edhe ndonjë shprehje tjetër, por që tani nuk më kujtohet.

Procesi mbasi u lexua u firmos.

 I pandehuri                                                             Hetuesi

Bujar Doku                                                             Ligor Thomollari

 “Kam thënë që na mërzitët me këto aksionet që na i bëni të dielave”

                                                                          PROÇES – VERBAL

I PYETJES SË TË PANDEHURIT BUJAR DOKU

Në Burrel sot më datën 23.7.1977, unë hetuesi Ligor Thomollari morra në pyetje të pandehurin Bujar Doku.

Pyetje: Çkeni për të thënë në lidhje me fajësinë tuaj?

Përgjigjie: Unë po i bëjë analizë vetes sime dhe them se jam fajtor në këto raste. Kështu në lidhje me aksionet them se jam fajtor, mbasi unë i kam thënë Sali Përlekës që këto të mos i bënim ditët e diela, por t’i bënim ditën e martë kur kishim pushim, por ai më ka thënë së kështu është vendosur. Më vonë dhe këtij i kam thënë kur ka hyrë në dyqan, e që më njoftuan për aksion, që na mërzitët me këto aksione gjithmonë. Prezent me sa më kujtohet kanë qenë shokët e punës në dyqan. Se si më është përgjigjur Saliu, nuk më kujtohet.

Dua të them se kur është zhvilluar festivali I XI I Këngës në Radio Televizion unë e kam parë këtë në shtëpinë e ….Berhanit ku kanë qenë edhe njerëz të tjerë. Mbasi ky festival më ka pëlqyer dhe në atë kohë që e kam parë kam thënë që është më i mirë se festivalet e tjera. Këtë e kam thënë mbasi organizimi i këtij festivali ishte ndryshe nga festivalet e tjerë. Këtë gjë e kam thënë edhe më vonë mbas mbarimit të festivalit. Po kështu dua të them se kur më kanë ardhur klientë dhe më kanë pyetur në lidhje me pjesët e këmbimit se cila llampë televizori është më e mirë e më e fortë, unë kam thënë se më e mirë dhe më e fortë janë llampat gjermane dhe hungareze.

Procesi mbasi u lexua u firmos.

 I pandehuri                                                                      Hetuesi

Bujar Doku                                                                  Ligor Thomollari

“I kam thënë një klienti, se nuk kemi literaturë për televizionet”

                                                                       PROÇES – VERBAL

I PYETJES SË TË PANDEHURIT BUJAR DOKU

Në Burrel sot më datën 2.8.1977, unë hetuesi Ligor Thomollari morra në pyetje të pandehurin Bujar Doku.

Pyetje: Çkeni për të thënë në lidhje me fajësinë tuaj?

Përgjigjie: Unë përveç shpjegimeve që kam bërë më përpara, them se unë kam folur edhe në lidhje me litertaturën televizive, kur kam qenë në dyqan. Kështu kur më ka pyetur një klient dhe më ka bërë vërejtje për punën, unë i kam thënë atij për t’u justifikuar, më mungon literatura e nuk kemi se ku ta marrim. Jemi dobët me riparime, se është edhe teknikë e re, por dhe literaturë nuk kemi.

Procesi mbasi u lexua u firmos.

 I pandehuri                                                                 Hetuesi

Bujar Doku                                                          Ligor Thomollari

                                     

                                                                      PROÇES – VERBAL

I PYETJES SË TË PANDEHURIT BUJAR DOKU

Në Burrel sot më datën 15.9.1977, unë hetuesi Ligor Thomollari morra në pyetje të pandehurin Bujar Doku.

Pyetje: Çkeni për të thënë në lidhje me fajësinë tuaj?

Përgjigjie: Siç e kam shpjeguar edhe më përpara në procese të ndryshme që ndodhen në dosjen penale, e quaj veten fajtor për krimin e agjitacionit dhe të propagandës armiqësore dhe janë të vërteta të gjitha ato që kam thënë në proceset e mëparëshme. Po kështu them se fajin që kam bërë do t’ja shlyej Partisë me punë ku të ketë nëvojë. Kështu mua nuk më takonte të flisja në atë formë kundër Partisë dhe udhëheqjen e saj në lidhje me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Po kështu nuk më takonte të mendoja si armik për artin dhe kulturën. Po kështu nuk më takonte që të shprehesha në mënyrë armiqësore në lidhje me muzikën tonë dhe duke e krahasuar me muzikën e huaj. Po kështu nuk më takonte mua që të flisja e të shprehesha siç jam shprehur në lidhje me oficerët e të tjera shprehje që unë i kam të shkruara në dosjen penale që i kam thënë më parë. Për sa shkruhen janë të vërteta dhe mbasi i lexova i firmos./Memorie.al

I pandehuri                                         Asistoi                                                 Hetuesi

Bujar Doku                     Zv/Prokurori  Preng LLeshi                               Ligor Thomollari

SHKARKO APP