Lutja drithëruese e pukjanit: Ngrihu Gjergj, Shqipëria po mbaron

Një mesazh drithërues, lutje e ardhur nga dëshpërimi është ajo e një banori të Pukës që nuk sheh asnjë shpresë tek politikanët e djeshëm dhe të sotëm.

Nga maja më e lartë e Pukës, Bib Ndue Biba, 54 vjeç i ka kërkuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit të ngrihet nga varri, qoftë dhe për pak ditë për të ardhmen e Shqipërisë pasi Shqipëria po mbaron thotë ai.

Një mesazh sa naiv aq dhe domethënës që tregon dëshpërimin e skajshëm të tij, dhe si ai dhe shumë të tjerëve.

Personazhi që siç mëson “BalkanWeb” ka punuar në ndërmarrjen “Rruga Ura” dhe Sharrat, nuk është i lajthitur siç mund ta interpretojë shumë kush por një njeri me një familje të rregullt dhe i shëndetshëm mendërisht por me sa duket tepër i vuajtur.

Në fund të apelit të tij, me fjalë që mund t’ia kalojnë dhe shumë ligjvënësve tanë, pukjani shpërthen në lot teksa i drejtohet Zotit dhe Shën Mërisë t’i dëgjojnë lutjen.

YouTube player

MESAZHI I TIJ
I dashur Gjergj Kastrioti, pranë tokës mëmë të qytetit Lezhë. Jam ngjitur në bjeshkët më të larta të miat në ‘Qafën e Livadh Kabashit’, quhem Bib Ndue Biba, jam nga Puka.
Duke humbur shpresat për Shqipërinë, duke më shtyrë atdhedashuria për vendin tim, për vëllezërit e mi, duke humbur shpresat për këtë qeverisje tash 25 vite mendova që t’ju drejtohem ju pasi Shqipëria ndodhet në rrezik. Rinia shqiptare po e braktis Shqipërinë, po largohet nga atdheu për të kërkuar një punë më të mirë. Por shtetet përreth po e dëmtojnë rininë shqiptare.

Shqipëria këtu qeveriset nga shumë parti. Jemi një popull i vogël sot, rreth 3 milionë. Janë krijuar disa parti, secila na kërkon ushtarë kundër njëra-tjetrës. Asnjë nuk po qeveris ashtu siç e do atdheu. Shqipëria vëlla Gjergji është e paçliruar, vetëm djemtë këngëtarë, vajzat dhe djemtë e thonë me këngët e tyre që Shqipëria është e copëtuar. Kam vërejtje për gazetarët, kam vërejtje për shkrimtarët vëlla Gjergji. Asnjë nuk e thotë se Shqipëria është e copëtuar. Kombi shqiptar tani ka probleme me punësimin.

Asnjë shtet i Evropës nuk po mundohet që të na kërkojë të shkojmë pas tyre. Në këto vite të demokracisë që u bë ndryshimi në Shqipëri, Evropa na mësoi të themi në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë, e duam ‘Shqipërinë si gjithë Evropa’ por Evropa nuk po na ndihmon. Të gjitha veprat që kemi pasur në Shqipëri, të gjitha repartet e punës, të gjitha ndërmarrje Sharrat, të gjitha fabrikat janë mbyllur sepse Evropa na thoshte se ato punojnë me humbje.

Rinia shqiptare ka dalë e papunë. Prandaj duke humbur shpresat për këtë qeverisje, dëshiroj dhe lus Zotin, lus Zonjën e bekuar që lajmin tim ta sjellin ty vëlla Gjergji atje pranë varrit në Lezhë. Duke pa se më dhimbset Shqipëria, më dhimbset rinia shqiptare që po gërryen emigracioni, po e gërryejnë aksidentet, po e gërryen vëllavrasja me armët që kanë dalë nga depot, prandaj i dashur vëlla Gjergji të lus duke të lënduar rëndë ty në varr por meqenëse më shtyn atdhedashuria të lus dhe njëherë ngrihu nga varri për pak ditë vëlla Gjergji. Sepse Shqipëria po shuhet, rinia shqiptare mbaroi, Shqipëria po plaket. Prandaj e lus Zotin shumë që të ngrihesh nga varri dhe të vish ti porosisësh djemtë shqiptarë si qeveriset Shqipëria, kombi jonë i dashur.

SHKARKO APP