Maska e Presidentit në New York

Nga Mimoza Dajçi/Tetor 2016. Halloween është prezent sot në New York. Çdo shtëpi, apo bisnes nëpër dyer, dritare dhe obore ka vendosur figuracione të çuditshme për të kujtuar ditën e shpirtrave të vdekur. Për ironi të fatit kjo ditë është kthyer në festë, ku pregatiten ushqime dhe ëmbëlsira të ndryshme. Konsiderohet si një festë argëtuese për fëmijë e për të rritur, të cilët veshin kostume me superheronj, princesha, shtriga me fshesë dhe flasin për histori të frikshme me fantazma. Festohet tërë natën deri në mëngjes.

Eshtë i dyti vit që Halloween organizohet si festë zyrtare edhe nga Borough President Ruben Diaz Jr. në Bronx, i cili për këtë vit mblodhi në “Billy’s Sports Bar” punonjës të Bashkisë Bronx, individë të njohur të komunitetit dhe përfaqësues të NGO që veprojnë në New York. Maska e zgjedhur prej tij ishte ajo e skllavit “i vdekur dhe nën pranga”, maskë që flet shumë për të drejtat civile të viteve ’60. “Whiteface” që ai kishte aplikuar në fytyrën e tij është makeup i një forme tradicionale teatrale që përdoret nga njerëzit me ngjyrë kur performojnë njerëzit e bardhë, ose anasjelltas, siç është edhe Show famoz amerikan “Blackface “. Ndërsa e shoqja ishte veshur me fustan të bardhë nusërie dhe në fytyrë kishte vendosur maskën e një vampireje.

Xhentelemeni Ruben Diaz Jr. veshur gjithashtu me frak të zi e kapele cilindrike në kokë, ku qafën dhe duart i kishte lidhur me pranga, nuk njihej nē hyrje. Presidenti Rube Diaz Jr. është një personalitet tepër i respektuar nga new jorkezët. Ai u takua në këtë mbrëmje festive me të gjithë pjesëmarësit, i falenderoi për ardhjen e tyre dhe doli sëbashku në foto me ata. Mr. Diaz Jr. është njëherësh edhe mbështetës e përkrahës i komunitetit shqiptar jo vetëm në Bronx, por edhe më gjerë. Karakterizohet nga thjeshtësia, mirënjohja, ka komunikim të mirë me çdo lloj grupmoshe.

Shumë ushqime, fruta e pije të ndryshme u servirën atë mbrëmje në “Billys Sport Bar” në Bronx, ku në sfond dëgjohej muzikë jazz, pop e mix. Mes të ftuarve ndodhej edhe Presidenti i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan Z. Esad Rizai, veprimtari dhe patrioti i njohur Z. Hajdin Aliaj dhe organizata e gruas shqiptaro – amerikane The Women’s Organization “Hope & Peace”.

Edhe pse Halloween njihet si festë shtrigash dhe vampirësh ishte një darkë e këndshme dhe aspak e mërzitshme, veçanerisht për ne shqiptarët, ku në Shqipëri kjo festë filloi të përhapej pas viteve ’90.

Halloween si origjinë të saj ka legjendat dhe mitet, vjen si festë nga besimet fetare të lashta dhe folklori. Ka lindur rreth 2000 vjet më parë dhe festohet më datën 31 tetor të çdo fundviti. Versioni i veshjeve mbetet i tillë pasi njerëzit duhet të vishen në mënyrë të frikshme dhe qesharake. Sipas legjendave zanat visheshin si lypëse dhe kërkonin ushqim, kjo traditë vashdon edhe sot kryesisht në SHBA, ku fëmijët shkojnë në çdo derë të lagjes së tyre veshur me kostume dhe marrin ëmbëlsira dhe karamele. Kuptimi i këtyre “vizitave” është se nëse i zoti i shtëpisë nuk jep diçka, atëhere do të pësojë ndonjë lojë djallëzore.

Kungulli gjithashtu është simbol i Halloween, dhe shumë i këndshëm për dekorim, vendoset nëpër dritare, jashtë shtëpisë dhe brenda për të mbajtur larg shpirtrat e këqinj. Simbole të tjera të kësaj feste janë macja e zezë, dracula, batman, rrjetët e merimangave, lakuriqët e natës. Ndërsa ngjyrat janë e zeza dhe portokalli. Halloween renditet si festa e dytë pas Krishtlindjeve. Njihet si “lufta e yjeve” dhe është një industri prej 7 miliardë dollarësh në Amerikë. Eshtë dita e rikthimit të shpirtrave të vdekur, errësirës, dhe çdo gjëje të frikshme. Shtëpia e Bardhë në SHBA i ka hapur dyert fëmijëve të ushtarakëve amerikanë për të festuar Halloween.

SHKARKO APP