Me vetëm 2 pyetje, komediani divorcoi 17,000 njerëz
Në një artikull të Bright Side, më rastisi të lexoja për Daniel Sloss – një komedian i famshëm në Skoci që përmes një fjalimi të veçantë dhe filozofik arriti të ndryshonte jetën e shumë çifteve.
Sipas Sloss, nëse njeriu ka gjetur dashurinë e vërtetë, nuk do të ndikohet aspak nga fjalimi i tij, në të kundërt do të duhet të përballet me dy pyetje.
Pas shfajes, reagimi ishte i menjëhershëm. Daniel filloi të numëronte njerëzit që i dhanë fund marrëdhënies fill pas monologut të tij dhe në një intervistë deklaroi se rastet kanë kapur shifrën 17,000.
Në shfaqjen e tij, Sloss flet për mënyrën se sa e papëlqyeshme është të qenurit single dhe shpjegon domethënien e jetës duke cituar të atin që dikur, kur Daniel ishte vetëm shtatë vjeç, i foli për jetën, dashurinë dhe jo vetëm.
Dëgjo djalosh: Imagjino sikur jeta e një personi është një puzzle. Ne kalojmë gjithë jetën tonë në përpjekje për të gjetur pjesët duke përdorur përvojën dhe mësimet e marra, derisa arrijmë një version më të mirë të vetes. Por, të gjithë e kanë humbur kutinë për të plotësuar puzzle-in. Pra, askush nuk e di se ç’e pret në fund. Dhe mënyra më e mirë për të zbuluar misterin është të fillosh me 4 pjesë: familja, miqtë, pasionet dhe puna. Pjesët ndryshojnë gjatë gjithë kohës. Ndonjëherë bën miq të rinj dhe humb të vjetrit. Ndonjëherë puna ndikon tek pasionet dhe ty të duhet të vendosësh se çfarë dëshiron duke lëvizur të gjitha pjesët. Ndonjëherë një anëtar i familjes largohet nga kjo jetë duke lënë një boshllëk në jetën tënde. Kështu ty të duhet ta plotësosh atë me diçka tjetër, ose puzzle-i ngelet i papërfunduar. Dhe në mes të rrugëtimit tënd, një i/e huaj do të ndryshojë gjithçka – ashtu si nëna jote bëri me mua.”
Në vijim ai thekson se ka disa ide në dukje të bukura, por të gabuara, që i bëjnë njerëzit e kulturës moderne të zgjedhin personin e gabuar dhe gjithë jetën e tyre mundohen të zgjidhin një mister, një mister që ngelet i pazbuluar për aq kohë sa është i gabuar.
“Nëse dikush nuk më do ashtu siç jam, do të thotë se nuk më do fare: ai/ajo do thjesht një imazh të gabuar timin, të krijuar në kokën e tij/saj. Nuk është faji im që nuk arrij pritshmëritë e tyre.[…] Në këtë moment të rëndësishëm, duhet t’i bëni vetes 2 pyetje: Së pari, a mos kam çuar dëm 2, 5, 10 vite të jetë sime? Së dyti, a dua ta çoj dëm pjesën tjetër të jetës?
Nëse jeni në një marrëdhënie dhe ndiheni të lumtur, është një mrekulli. Nëse nuk u ndjetë mirë nga pyetjet e mia, do të thotë që keni frikë nga përgjigjet. Sepse gjëja më e keqe që mund t’i bësh vetes është të kalosh gjithë jetën me personin e gabuar. Ka 7.5 miliardë njerëz në botë dhe ti e ke gjetur personin “e zemrës” 50 km larg shtëpisë! Çfarë rastësie! Nuk po them se të gjesh dashurinë e vërtetë është e pamundur, vetëm se statistikisht ka shumë pak të ngjarë ta keni gjetur. Jam i sigurt që 80% e marrëdhënieve janë të rreme. Kjo ndodh se ka shumë njerëz që nuk dinë si të jetojnë vetëm…dhe kështu shkatërrojnë jetën e dikujt tjetër.”
Pas shfaqjes, një numër i madh njerëzish i dhanë fund marrëdhënieve të dëshpëruara dhe falenderuan Sloss në Twitter. Ju këshillojmë ta shihni shfaqjen në Netflix, sepse përtej të gjithave, konsiderohet si një qasje e re e stand-up komedive.