Ministri holandez impresionohet nga “Marubi”

Ka vendosur të mos e mbyllë vizitën e tij në Shqipëri vetëm me axhendën politike, por të bëjë një ndalesë të veçantë në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, aty ku historia e Shqipërisë vjen e dokumentuar përmes artit të fotografisë.  Ministri i Jashtëm i Vendeve të Ulëta, Bert Koenders, mbeti i impresionuar ndërsa pa nga afër një prej muzeve unikë në Ballkan, por mes atyre me vlera të rralla edhe në Europë. “Është hera ime e parë dhe kam shumë për të thënë për këtë Muze të veçantë. Si fillim më ka impresionuar projekti arkitektonik, dekorimi i Muzeut dhe çdo gjë që ka të bëjë me dekorin është interesante. Nuk e di të gjithë historikun e muzeut “Marubi” por mund të them me siguri se është frymëzim për artistët e rinj”,- tha diplomati.

Ai do të kthehet përsëri, por nuk harron të përcjellë një mesazh për të gjithë turistët europianë që të mos kursejnë një udhëtim në Shqipëri për të parë këtë muze. “Përfundimisht do të kthehem sepse këtu gjeta të dhënë në një mënyrë ndryshe historikun e një vendi. Dua tu them të gjithë turistëve të interesuar tek historia të vinë në Shqipëri, pasi këtu mund të gjejnë të përshtatur natyrshëm traditën me modernen, pushimet, relaksin dhe çdo gjë të ëndërruar për pushime ideale”,- tha Bert Koenders. Ministri i Jashtëm i Vendeve të Ulëta shoqërohej në këtë vizitë nga ambasadorja e Hollandes në Shqipëri dhe stafi i tij i ngushtë. Ata u njohën me historinë e “Marubit” përmes fotove, por edhe bashkëbisedimit me drejtorin Bedeni, të cili i uruan suksese në rrugëtimin e metejshëm të ketij muzeu.

SHKARKO APP