Mjeku gjerman: Do të ketë valë të dytë koronavirusi, çfarë sjell vjeshta
Koronavirusi nuk është zhdukur dhe vala e dytë e tij do të ndodhë në vjeshtë ose dimër, thotë doktor Tobias Welte, nga Qendra gjermane për Sëmundjet Infektive. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se faktorë të mëdhenj rreziku janë ajri i ftohtë dhe lagështia e ulët.
Welte thotë se distanca fizike dhe maskat e fytyrës janë ndër masa më të rëndësishme mbrojtëse.
Welte, që është edhe pjesëtar i task-forcës gjermane për luftimin e koronavirusit, thotë se rritja e numrit të rasteve në Kosovë, ditëve të fundit, lidhet me kulturën e jetesës.
-Doktor Welte, a mund të na shpjegoni fillimisht se çfarë është vala e dytë e koronavirusit dhe a po ndodh një e tillë tashmë? Shohim rritje të numrit të rasteve në disa vende.
Welte: Mendoj se dallon nga vendi në vend. Janë disa vende ku po ndodh vala e dytë. Për shembull, në Iran ka rritje ditore të rasteve, pasi numri i tyre ka rënë. Atje tani është vala e dytë. Shkaku mund të jetë fetar. Gjatë Muajit të Ramazanit, numri i rasteve ka rënë, por më pas, pas takimeve të shumta të njerëzve, ai prapë është rritur. Në vende të tjera, si Gjermania, nuk ka rritje në nivel vendi, por ka vatra. Një nga këto vatra janë fabrikat e mishit. Problemi i këtyre vatrave është se ato bartin disa faktorë rreziku. Në fabrikat e mishit, për shembull, mbizotëron ajër i ftohtë dhe i thatë; njerëzit punojnë afër njëri-tjetrit dhe distanca nuk respektohet. Po ashtu shumica e punëtorëve vijnë nga Evropa Jugore dhe Lindore dhe kushtet në të cilat jetojnë janë larg të qenët të përsosura. Këta faktorë, pra, ju bëjnë më të cenueshëm ndaj koronavirusit. Ajo që mund të mësojmë nga këto lloje shpërthimesh është se virusi është ende këtu, është ende infektues. Dhe, nëse i jepni shans atij, do të ketë infektim. Tani jemi në kohë të verës, por nëse ajri i ftohtë luan rol, ka shumë gjasa që do të shohim valën e dytë në vjeshtë ose në dimër.
– A do të ketë valë të dytë në secilin vend që ka pasur raste me koronavirus, apo kjo është një gjë që varet nga strategjia që ato ndjekin?
Welte: Virusi nuk është zhdukur në asnjë vend evropian. Ne jetojmë në një botë globale. Nëse udhëtimet lejohen dhe kufijtë hapen sërish, virusi do të përhapet prapë nga vendi në vend. Andaj, do të thosha po, do të ketë valë të dytë në vjeshtë. Intensiteti i valës së dytë është ende i paqartë.
– A mund të parandalohet vala e dytë?
Welte: Druaj se jo. Nuk do të ketë vaksinë deri në mes të vitit të ardhshëm, nëse jemi me fat. Pra, gjasat për një vaksinë nuk janë aq të mëdha dhe nuk do të ketë trajtim efektiv. E vetmja gjë që duhet të bëjmë, edhe kur rihapim ekonominë, është t’i ruajmë disa masa parandaluese. Dhe, më e rëndësishmja është distanca.
-A mund të jetë vala e dytë më e keqe se e para?
Welte: Mendoj se vala e dytë nuk do të jetë më e keqe, por ka mundësi që të mblidhen disa probleme bashkë. Mund të ndodhin koronavirusi dhe influenza në të njëjtën kohë. Andaj, duhet të merren vaksinat kundër gripit, kundër pneumonisë bakteriale, për të zvogëluar rrezikun që disa infeksione të vijnë në të njëjtën kohë.
–Vala e dytë lidhet shpesh me vjeshtën, siç e thatë edhe ju. A e bën moti i ftohtë më keq situatën, apo pse?
Welte: Moti i ftohtë dhe lagështia e ulët janë faktorë rreziku. Tjetër faktor rreziku është të qenët në ambiente të mbyllura, ku aerosoli [v.j. përzierja e grimcave të ngurta ose pikave të lëngshme në ajër] dhe koha e mbijetesës së aerosolit është më e lartë sesa jashtë. Pra, nëse jeni në dhoma të mbyllura, nëse ajri është më i ftohtë dhe më i thatë, rreziku rritet. /REL/