Ndikimi i mbipeshës tek diabeti dhe dhjamosja e mëlçisë

Obeziteti është kthyer në një epidemi që ka një efekt domino në shëndetin e gjithëkujt. Një nga rreziqet që i kanosen njerëzve nga obeziteti është dhjamosja e mëlçisë e cila mund ta dëmtojë atë ose mund të nxisë shfaqjen e kancerit. Dhjamosja e mëlçisë ka lidhje të forta me obezitetin, diabetin e tipit 2, tensionin e lartë të gjakut dhe nivelin jo normal të lipideve në gjak. Studimet më të fundit paralajmërojnë se diabetikët janë njerëzit më të rrezikuar nga komplikacionet me mëlçinë.

Shkaqet e dhjamosjes së mëlçisë

Dhjamosja e mëlçisë mund të ndodhë si pasojë e pirjes së tepërt të alkolit por edhe të mbipeshës. Depozitat e mëdha dhjamore nxisin inflamacionin, dëmtojnë qelizat e mëlçisë, shkaktojnë cirrozë e deri në tumor. Tek diabetikët, këto depozita dhjamore shkaktojnë probleme madhore që shtrihen përtej mëlçisë e deri tek veshkat e truri.

Rënia nga pesha për shëndetin e mëlçisë

Të dhënat, pohojnë se ndryshimet në stilin e jetesës mund të zbusin ndjeshëm rrezikun e komplikacioneve të mëlçisë. Rënia nga pesha është e rëndësishme dhe e domosdoshme. Diabetikët dhe njerëzit e prekur nga dhjamosja e mëlçisë duhet të humbasin të paktën 5 përqind të peshës së trupit për të pastruar disi mëlçinë nga këto depozita. Pra nëse një person peshon 90 kilogramë, ai ose ajo duhet të humbasë të paktën 4.5 kilogramë nga pesha.

Regjimi mesdhetar 

Sipas ekspertëve, rënia nga pesha mundësohet nga aktiviteti fizik dhe ushqyerja e shëndetshme. Një nga regjimet më të mira për njerëzit që kanë probleme me mëlçinë është ai mesdhetar. Ky regjim rekomandon ngrënien e shumë frutave, perimeve, arrorëve, farave, drithërave të plota, peshkut dhe vajit të ullirit. Sa i përket aktivitetit fizik, ekspertët këshillojnë aerobinë dhe trajtimet që stimulojnë rezistencën e njeriut.

/AgroWeb/

SHKARKO APP