Në 70 vjetorin e lindjes së aktorit të madh, Roland Trebicka

Në 70 vjetorin e tij të lindjes, Teatri Kombëtar kujtoi sot aktorin e madh që i mungon skenës dhe publikut shqiptar, Roland Trebicka.

Ai lindi në Korçë në vitin 1947. Kreu shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në vendlindje.

Kur ishte i ri punoi si aktor në Estradën profesioniste te SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore) ose shkurt “Estrada e Ushtarit”. Gjatë këtyre viteve në këtë trupë profesioniste debutuan edhe aktorë të tjerë të cilët më vonë do të bëheshin të famshëm në fushën e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koço Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj. Në vitin 1971 u bë pjesë e Teatrit Kombëtar (i njohur atëherë si Teatri popullor). Punoi në Teatrin Kombëtar deri më 1999. Pas një përvoje tri vjeçare me kompaninë “Publimedia”, u rikthye në Teatrin Kombëtar.

Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176. Mjeshtria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë. Edhe sot, me 500 shfaqje në shtatë vjet, me dhjetra transmetime televizive dhe dhjetra mijë kopje videokasetash të shitura, “Jovan Bregu” është figura më popullore e skenës shqiptare, batutat e të cilit prej kohësh janë bërë pjesë e folklorit dhe zhargonit të sotëm. Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori” (“Revizori”)…. tek “Një burrë me trandafil”. Në vitin 2002, për rolin e Rojës tek “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kantidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, në Kajro.

Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden Endërr për një karrige (Vaska) dhe Koncert në vitin 1936(Nasi).

Në vitin 2011 u sëmur rëndë nga një sëmundje në mushkëri që e detyroi të rrijë larg skenës rreth dy vjet. Është nderuar me titullin Artist i Merituar dhe Qytetar nderi i Korçës.

U nda nga jeta më 6 mars  të vitit 2013.

SHKARKO APP