Nënë Tereza e Buzëqeshur e Stratit, gati në 28 Nëntor

Portreti i buzëqeshur i Nënë Terezës punuar me 1.5 milionë kopsa teli nga mjeshtri i mozaikëve Saimir Strati pritet të përfundojë para festave të Nëntorit.

Vepra do të mbetet në muzeun e Kosovës si dhuratë e artistit për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Me këtë portret Strati  synon hyrjen për herë të dhjetë në Librin e Rekordeve Guinness.

Koha e përcaktuar për punë ishte nga data 1 deri me datën 30 nëntor kur edhe Saimir Strati do t’i dorëzojë të gjitha dokumentacionet për veprën e tij në Londër, por ai synon përfundimin e punës dy ditë më herët.

“Po punoj nga 12 orë në ditë vetëm e vetëm që vepra të jetë gati për 28 Nëntor,” tha për KALLXO.com.

Pranë portretit Strati ka vendosur thënien “Paqja Fillon me një Buzëqeshje” që thotë se i përshtatet mozaikut që po krijon me fytyrën e qeshur të shenjtores shqiptare.

“Ҫdo goditje është një thirrje për paqe,” tha mjeshtri kur foli për mënyrën se si vendosen kopsat, pasi me ҫdo goditje në platformën e drurit vendoset një kopsë teli.

/Oranews

SHKARKO APP