Nga Moska në Tiranë, violinisti rus Stanislav Mallishev koncert në Universitetin e Arteve

Në kuadër të Festivalit të IV Ndërkombëtar “Pianodrom”, i cili mbahet në Tiranë, një tjetër muzikant virtuoz nga Rusia do të nderojë eventin me pjesëmarrjen e tij. Bëhet fjalë për violinistin, Stanislav Mallishev, që përfaqëson Konservatorin e famshëm “Pjotr Çajkovski” të Moskës, i cili vjen në Tiranë për të performuar në tinguj violine. Bashkë me pianisten shqiptare Klejda Tare, Stanislav do të japë një koncert, më datë 21 nëntor, ora 19:00, te salla e Universitetit të Arteve.

Stanislav Mallishev është laureat i konkurseve të shumta ndërkombëtare. Performon vazhdimisht me orkestra simfonike dhe ato të dhomës ruse dhe të huaja, si për shembull orkestra simfonike e Nicës (Francë), orkestra akademike e dhomës “Musica Viva”, etj.. Mallishev ka qenë i ftuar në sallat më të mira të Rusisë dhe të Europës: Konzerthaus (Berlin), Site de la music (Paris), Salla e Madhe e Konservatorit të Moskës. Repertori i Stanislavit përfshin vepra të ndryshme që nga epoka “Baroque” e deri tek autorët bashkëkohorë.

Programi i koncertit të 21 nëntorit do të ketë dy autorë: 1. Sonata Nr. 1 dhe “A Paganini” të kompozitorit rus Alfred Shnitke (të dyja veprat do të luhen premierë në Shqipëri). 2. “Barokjare” dhe Sonata Nr. 2 “Mouvement contraire” (“Lëvizje të kundërta”) të kompozitorit bashkëkohor shqiptar, Aleksandër Peçi. Për të marrë pjesë në koncertin e artistit rus Stanislav Mallishev çmimi i biletës kushton 200 lekë dhe mund ta rezervoni në këtë numër telefoni: 068 403 79 95.

 

 

A. Gjergji

SHKARKO APP