Një histori me Belulin që voton PS
Magazinë E Enjte, 21 Janar 2021 14:46
Nga Agim Xhafka –
Te pazari ndesha Belulin,një kushëririn tim të largët. Prej vitesh e vitesh ka punuar në ministri.
-Vazhdon atje?- e pyeta.
-Jo,jo. Që nga 1 janari dola në pension.
Sa po bëhesha gati ta uroja,vazhdoi:
-Mbi 40 vjet specialist e ditën që ika askush nga shefat nuk erdhi të paktën të më jepte dorën. Kalova një jetë brenda atyre mureve,një jetë që dhashë më të mirën time.
Sa po bëhesha gati t’i thoja vari leshtë,ai ia nisi prapë:
-Se më mungojnë dhe ca vite sigurimesh. Nuk gjenden,pale që as zborin nuk e kanë hedhur,vitin e stazhit në prodhim,shtet që nuk di ku ka trutë. Më duhet të bëj një gjyq,të gjej dëshmitarë…
Sërish doja ta qetësoja,por vazhdoi:
-Më kanë ndërruar edhe një gërmë të emrit në ca vite. Nga Belul ma kanë shkruar Bilal.Ec e bëj gjyq tjetër. Qeveri leshi e shtet koti.
E kur pa që u nxeha edhe unë mori krahë:
-Këta e di si duan? T’u vesh zjarrin e t’i djegësh. Por zbutem se jam i majtë. Për ta kam votuar e do të votoj,ama ta dinë,nuk janë njerëz,janë kafshë,ore,kafshë.
Këtu mbeta pa gojë. E kapa nga faqet e i thashë veç kaq:
-Pse? Pse? Pse?