Një libër për të kaluarën “Histori të vërteta nga Shqipëria e Kuqe”

Gjatë muajit Nëntor, në kuadrin e Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “ TOENA” nxori në qarkullim në  anglisht librin e ri “True Stories from Red Albania”  – “Histori të vërteta nga Shqipëria e Kuqe” të autorit Jorgji Kote. Në ceremoninë e promovimit, krahas autorit, mbi vlerat e këtij libri foli Prof.As.Mirela Bogdani dhe Botuesja Irena Toçi. “True Stories from Red Albania” përfshin një seri ngjarjesh dhe episodesh nga jeta në Shqipëri gjatë periudhës së vetë – izolimit absurd në vitet 1945 – 1990.  Autori e njeh mjaft mirë temën të cilën ai shtjellon; ai ka jetuar për 38 vjet në sistemin e kaluar, duke qenë ndërmjet të tjerash aktivist rinie, mësues, përkthyes me delegacione dhe grupe turistike, punonjës civil në ish-tregtinë e jashtme, etj.

Në vetëm 136 faqe, janë përshkruar me një stil të gjallë, konçiz dhe plot ngjyra momente madhore nga jeta e fëmijëve, rinisë, shoqërisë, letërsisë, artit, fesë dhe ateizmit të detyruar të viteve 60, miniturizmi politik, tregtia e jashtme, përpjekjet e regjimit monist për t’u bërë “fener i kuq i socializmit”, mbështetja për lëvizjen komuniste m-l dhe aspekte të tjera intriguese gjatë atyre kohërave unikalisht të vështira.  Autori ka treguar thjesht e në mënyrë origjinale, larg filozofimeve dhe argumenteve libreske, me nota sa tragjike aq dhe komike, jetën e përditshme të asaj kohe, me të mirat, gëzimet dhe kujtimet e saj të natyrshme, njerëzit e mirë e me mentalitet shumë më të përparuar se koka, si dhe gabimet  dhe absurditetet e mëdha të asaj kohe, dënimin dhe përndjekjen e intelektualëve të vërtetë dhe të gjithë atyre që tentuan të flisnin me një zë ndryshe në shoqërinë tejet të politizuar të asaj periudhe etj. Veç ngjarjeve dhe historive të vërteta, duke përfshirë dhe pjesë nga humori i spikatur politik i asaj periudhe, në këtë libër përmenden gjithashtu shumë shembuj pozitivë  të “ historisë së suksesit” të bashkatdhetarëve tanë të çdo moshe, të rinj e të moshuar, kryesisht në Belgjikë, ku autori punon prej disa vitesh si diplomat, por dhe në Gjermani, SHBA, Danimarkë dhe gjetkë. Përfshirja e këtyre shembujve është përgënjeshtrimi më i bindës i paranojës, frikës, drojës dhe insinuatave të regjimit të kaluar lidhur me të ashtuquajturin degjenerim borgjez dhe revizionist, kapitullimin përpara kapitalizmit, molepsjen nga “shfaqjet e huaja” etj. “True Stories from Red Albania” është libri i pestë i  autorit pas botimeve të mëparshme  “Berlini pa mure”( 2009) “Fjalor frazeologjik për diplomacinë” (2010) në “ Në Vetërrethim” (2012) dhe “ Diplomacia për të gjithë ( 2014)

 

SHKARKO APP