Njihuni me Jetmirin, baristin që bën art në filxhanin e kafesë!

Njerëzit e veçantë bëjnë art të veçantë. I tillë është dhe Jetmiri, me të cilin abcnews.al do ju njohë sot. Jetmir Maliqi është nga Prishtina. Ai është barist, por dallon nga të gjithë kolegët e tij, për mënyrën e bukur sesi përgatit kafenë, duken bërë art në të.

Jetmir Maliqi ka 23 vjet që ushtron profesionin e baristit, por artin e bukur të kafesë e ka nisur para 8 vitesh. Pasioni për këtë llojë arti lindi nga puna e palodhur dhe dëshira për të eksperimentuar sa më shumë, për të përgatitur kafe ndryshe nga të tjerët.

Të të serviret një filxhan kafe me art në të, për herë të parë, sigurisht që do të habitesh. I tillë ka qenë dhe reagimi i klientëve të Jetmirit, të cilët kur kanë parë kafen e tyre kaq të veçantë ju ka ardhur “gjynah” që ta konsumojnë.

Kur bën gjëra të bukura, njerëzit kërkojnë shumë më shumë çdo ditë. Dhe Jetmiri nuk mbeti vetëm me piktura të thjeshta, por filloi të bënte personalizime me emra, portrete apo gjithçka tjetër që klientët kërkojnë.

Kërkesat e klinetëve, reagimet e tyre pozitive janë ajo çka inspirojnë akoma më shumë Jetmirin që të japë më të mirën e tij.

Por, sa e vështirë është të krijosh art në kafe dhe sa kohë të merr kjo, do të pyesni ju që jeni kurreshtarë. Jetmiri shprehet se kjo varet. “Nëse është emër dhe mbiemër, merr një minutë kohë, por nëse është portret vonon sepse duhet përqendrim maksimal dhe duhet të shohësh çdo detaj”, tha ai për abcnes.al, duke shprehur se portreti më i arrirë ka qenë ai i Adem Jasharit.

Siç e shihni, këto krijime të mrekullueshme që neve na zbukurojnë ditën kur i shohim, duan punë dhe përkushtim, por pavarësisht lodhjes, Jetmiri e bën gjithçka me pasion, sepse e do me shpirt punën e tij.

Veç artit në filaxhan, ai gjithashtu krijon figura gjigante dhe jashtëzakonisht të bukura me kokrrat e kafesë.

“Unë bëj art dhe me kokrrat e kafesë. E kam më shumë si hobi. Kjo ide më erdhi ndërsa isha duke bluar kafenë dhe fillova të bëj figura të ndryshme”, tha Jetmiri, duke shtuar se arti në filxhan mbetet pasioni i tij i pazëvendësueshëm, të cilin nuk do ta braktisë kurrë.

Në një mesazh për të rinjtë, Jetmiri, ju këshillon që të besojnë te vetja e tyre, edhe pse do të hasin shumë zhgënjime. “Vetëm me punë do të arrini”, u shpreh ai.

Jetmiri ka arritur gjithçka me punë dhe përshkushtim. Dhe ju, nëse keni një ëndërr, punoni fort sepse çdo gjë është e realizueshme nëse keni një vizion dhe synim për të ardhmen. Jetmiri e gjeti pasionin e tij në punë, kështu mund ta gjeni dhe ju, duke sfiduar dhe pak veten në atë që bëni.

/abcnews.al

SHKARKO APP