Operatorët turistikë në Lezhë: Nxitje e standardeve në turizëm

Lezha bëri bashkë aktorët kryesorë të turizmit në vend, në një tryezë të përbashkët ku u promovuan ofertat dhe resurset turistike që kanë zona të ndryshme në Shqipëri. Përfaqësues të Unionit Turistik Shqiptar, Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Bashkisë Lezhë dhe Shoqatës së Restoranteve Turistike dhe operatorëve turistikë që operojnë në vend, u mblodhën bashkë për të diskutuar mbi potencialet turistike që ofron vendi, por edhe strategjitë që duhen ndjekur për promovimin e tyre.

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, i ftuar në këtë tryezë, tha se “Lezha ka mjaft resurse turistike, të cilat kanë nevojë dhe duhet të promovohen”. “Në Lezhë gjenden shumë elemente që janë tërheqës për vizitorët dhe turistët”, shtoi ai.

Ndërkohë, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku informoi se “për shkak të vlerave që ka, Lezha do të jetë prezente në Panairin e Shtutgartit në Gjermani.

Plotësimi i komponentëve që përbëjnë ofertën turistike shqiptare është një domosdoshmëri për Unionin Turistik Shqiptar dhe Shoqatën e Restoranteve Turistike, ndaj sipas tyre, duhet vazhduar me promovimin. Të gjithë operatorët turistike e shohin suksesin e biznesit të tyre të ndërlidhur ngushtë me cilësinë e shërbimeve që ofrohet nga restorantet turistike, pasi një ndër shtysat që i bën turistët e huaj që të zgjedhin Shqipërinë, është pikërisht shija unike e gatimeve tona.

“Kjo është një nga avantazhet kryesore me të cilën vendi ynë identifikohet në ofertën turistike rajonale, prandaj të gjithë së bashku, duhet të investojmë dhe ta ruajmë këtë vlerë unike që ne kemi, pasi siç dihet sot në treg ka shumë prodhime fallco që shiten si bio dhe tradicionale”, vlerëson kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rahman Kasa.

Në këtë këndvështrim UTSH do të jetë në krah të çdo subjekti, i cili do të investojë në rritjen e standardeve, pasi vetëm kjo mënyrë do të jetë mënyra e vetme për shtimin e prurjeve turistike dhe si rrjedhojë dhe shtimin e të ardhurave për bizneset. Për këtë arsye, Unioni Turistik Shqiptar kujdeset që prurjen turistike ta orientojë tek ato restorante të përfaqësuara në këtë Union, të cilët ofrojnë kuzhinë cilësore dhe i plotësojnë këto standarde.

Zyra e Turizmit në bashkinë e Lezhës prezantoi për pjesëmarrësit në takim anën e panjohur të Lezhës turistike, duke nxitur në këtë mënyrë agjencitë e turizmit për të përfshirë më shumë këtë rajon në guidat e tyre.

Lezha ofron një turizëm gjithëpërfshirës si ai bregdetar, historik, kulturor dhe artizanal. Pikërisht për këtë arsye operatorët turistikë mund të përfshijnë në paketën e tyre, përveç vizitave në Kalanë e Lezhës, në Memorialin e Skënderbeut dhe Obeliskun e Besëlidhjes edhe një sërë atraksionesh historiko-kulturore, siç janë: Kisha e Zojës Nunciale (viti 1240), kisha e Shën Prendës, Balldren dhe një sërë objekte të tjera Kulti që datojnë rreth shekujve të II-III-të, objekte që dëshmojnë kulturën e lashtë të kësaj treve. Por Lezha ofron për të gjithë ata që shkojnë për vizitë dhe një agroturizëm me produkte organike.

SHKARKO APP