Përmbushet “amaneti” i Konicës, 270 libra të tij në Bibliotekën Shqiptare -Foto nga ekspozita
Për herë të parë në Shqipëri vijnë disa prej librave origjinalë të Faik Konicës. Prezantimi u bë në Bibliotekën Kombëtare, ku u hap ekspozita “Identiteti Kombëtar dhe Diasporat”, dhe ku nëpërmjet librave, botimeve, dorëshkrimeve etj, pasqyrohet historia dhe jeta e diasporës ndër vite. Ministri i Jashtëm dhe ajo e Kulturës, e vunë theksin te bashkëpunimi institucional për të çuar përpara projektet e tjera kulturore dhe historike.
Një pjesë e botimeve të Faik Konicës tani pjesë e Bibliotekës Shqiptare, duke plotësuar kështu një prej amaneteve të shkrimtarit të madh.
Janë 270 libra që i bashkohen pjesës tjetër të trashëgimisë sonë. Kjo u bë e mundur falë bashkëpunimit të Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Kulturës si dhe me ndihmën e Agron Alibalit, i cili vendosi tja besojë librat e Konicës, Bibliotekës shqiptare.
Kumbaro: Me jo shumë siguri por bëmë një premtim publik që të sillnim në Shqipëri një thesar të jashtëzakonshëm që është biblioteka e Faik Konicës, e ruajtur falë diasporës, e promovuar falë diasporës, e bëmë të mundur sjelljen e këtij thesari i cili nuk do të realizohej nëse nuk do të ishte bashkimi i të gjitha forcave.
Deklarata e Ministres u bë në hapjen e ekspozitës “Identiteti Kombëtar dhe Diasporat”, në Bibliotekën Kombëtare.
Janë qindra libra, revista, dëshmi dhe dokumente të arkivuara, të cilat të kthejnë pas në kohë për të njohur historinë dhe jetën e diasporës shqiptare.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, vlerësoi lart rolin e patjetërsueshëm të diasporës, ruajtjen e identitetit kombëtar.
Bushati: Kemi mundësi për të kuptuar që kjo botë e ndërlidhur, pavarësisht se ne flasim shumë sot për botën e ndërlidhur dhe botën dixhitale, ka ekzistuar që në krye të herës dhe copëza të ndryshme të diasporës sonë kudo që kanë qenë, kanë një kontribut të vyer sa i përket formësimit të identitetit tonë kombëtar.
Kjo ekspozitë vjen në kuadër të Samitit të Diasporës.