Përmbyllet me sukses faza e parë e kërkimit shkencor Corona-Al nga Imperial College London
Përdoruesit e DreamLab në mbarë globin kanë ndihmuar shkenctarët e Imperial College London të përshpejtojnë fazën e parë të projektit Corona-AI në vetëm 6 muaj. Projekti Corona-AI prezantuar në prill të këtij viti synon të zbulojë kombinime të ndryshme të molekulave të ushqimit për të parë se cilat teorikisht mund ta ndihmojnë një person të luftojë Covid-19.
Projekt-studimi Corona-AI i Imperial College London është bërë i mundur falë aplikacionit (fitues i shumë çmimeve) DreamLab, aplikacion i krijuar nga Fondacioni Vodafone, fillimisht me synimin për të ndihmuar hulumtimet për kura kundër kancerit. DreamLab përdor fuqinë e përpunimit kolektiv të karikimit të telefonave inteligjentë për të krijuar një superkompjuter virtual të aftë për të përpunuar mijëra llogaritje, duke përshpejtuar kohën që duhet për të dhënë rezultate.
Studiuesit, të cilët po punojnë për këtë projekt në Imperial College London kanë njoftuar gjetjet e para nga hulumtimi, përfshirë këtu edhe identifikimin e molekulave të ushqimit me përbërje antivirale për të vlerësuar se cilat kombinime të ushqimit mund të ofrojnë disa përfitime mjekësore për të trajtuar Covid-19, si për shembull boronica, molla, portokalli, limoni, lakra, brokoli, qepa, hudhra, selinoja, fasulja.
Studimi ka vërtetuar gjithashtu se ilaçet ekzistuese që përdoren për të luftuar sëmundjet kardiovaskulare dhe çrregullimet metabolike siç janë simvastatin, atorvastatin dhe metformin, mund të përdoren si indikacione të reja ose përdorime alternative të barnave ekzistuese në luftën kundër Covid-19.
Gjetjet tani do të analizohen më tej nga studiuesit, të cilët thonë se është e nevojshme vërtetimi klinik për të vlerësuar se çfarë ndikimi mund të kenë këto molekula.
Aplikacioni tashmë është shkarkuar nga 100 mijë përdorues të smartphones në 17 vende të botës, përfshirë Shqipërinë, për të ndihmuar në përshpejtimin e kërkimeve shkencore.
Projekti Corona-AI në fazën 1 ka ekzaminuar mijëra kombinime të barnave ekzistuese dhe molekulave të ngjashme me ilaçet me bazë ushqimore, duke përdorur Inteligjencën Artificiale për të procesuar 100 milionë kalkulime matematikore si dhe për të ndihmuar shkencëtarët të eksplorojnë efektin e tyre të mundshëm ndaj COVID-19.
Për të shkarkuar aplikacionin kërkoni për DreamLab në Appstore iOS ose Play Store për Android.
DreamLab mund të shkarkohet dhe përdoret falas nga klientët Vodafone duke përdorur MB apo Wi-Fi. Dream Lab mund të përdoret dhe nga përdorues të operatorëve të tjerë duke zgjedhur sasinë e MB që duan t’i dedikojnë DreamLab, si edhe nëpërmjet rrjetit wireless. Në mënyrë kategorike nuk përdoret asnjë e dhënë personale nga pajisja e përdoruesit.