Piramida kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës, do përdoret për promovimin e artit e kulturës

Këshilli i Ministrave, gjatë mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme, vendosi kalimin e pronësisë së Qendrës Ndërkombëtare të kulturës Arbnori, ose siç quhet rëndon Piramida nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës.

Sipas vendimit, me kalimin në pronësi të bashkisë do të përdoret si qendër shumëfunksionale për organizimin e eventeve sociale, promovimin e artit, kulturës dhe të teknologjisë.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “d”, 5, 8, 17 e 18, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, të ministrit të Kulturës dhe të ministrit të Zhvillimit  Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave vendosi:

Kalimin në pronësi, nga Ministria e Kulturës (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”) te Bashkia Tiranë, të pronës me numër pasurie 1/53, të ndodhur në zonën kadastrale 8160, me sipërfaqe trualli dhe ndërtese 4 294 (katër mijë e dyqind e nëntëdhjetë e katër) m2, sipas planimetrisë bashkëlidhur, për t’u përdorur si qendër shumëfunksionale për organizimin e eventeve sociale, promovimin e artit, të kulturës dhe të teknologjisë.

Pika 2, e vendimit nr.286, datë 8.8.1991, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës”, shfuqizohet.

Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Kulturës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave.

SHKARKO APP