Pjesë e konkurrentëve të Sanremos dhe kantautori shqiptar

Vitin që kaloi ai ishte pjesëmarrës në Sanremo, por në kategorinë e të rinjve dhe arriti të renditet i treti në finale me këngën “Odio le favole” (Urrej përrallat). Autori i tekstit të kësaj kënge është vetë Ermal Meta, shqiptari nga Fieri, i cili nëpërmjet kësaj poezie dhe muzikës së tij bëri një reflektim poetik rreth pushtetit që mbart koha, si dhe aftësinë për t’i tjetërsuar gjërat përfshirë edhe vetë dashurinë.  Këtë vit ai rikthehet ndryshe, si këngëtar “Big” në eventin muzikor më të rëndësishëm në Itali. Ermali është me siguri një artist shumë dimensional dhe premton që si këngëtar të jetë po aq i suksesshëm sa edhe si autor i teksteve më të famshme në Itali, por jo vetëm. Ai ka bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës italiane si Marco Mengoni, Francesco Renga, Emma Marrone, Annalisa Scarrone, si dhe me Patty Pravo-n, me të cilën edhe kanë kënduar këngën “Non mi interessa”. Ermali është quajtur edhe “Shqiptari i Sanremove”, për pjesëmarrjen e tij të shpeshtë në këtë event muzikor. Këtë vit ai merr pjesë për herë të tretë si këngëtar, por prania e tij në Sanremo ka qenë edhe si kantautor me këngë të suksesshme si “Non so ballare” e Annalisa-s, apo “Straordinario” i Chiara-s. Vitin e kaluar ai u rendit i treti në kategorinë e të rinjve dhe duke pasur parasysh talentin e kantautorit shqiptar, mund të themi me siguri se ai do të jetë një konkurrent i denjë i emrave të mëdhenj të muzikës italiane si Fiorella Manoia, Giusi Ferreri, Michelle Zarillo.

SHKARKO APP