Plaga gjithëkombëtare që gërvishti Albin Kurti

Nga Xhovani Shyti –

Albin Kurti, politikani  karizmatik i Kosovës e më gjerë, ka dalë ditën e djeshme nga rreshti i liderëve shqiptarë dy vendorë të bërë një me vendimin për të shuar flakët e protestës studentore.

Albini ka zbritur në Tiranë me objektivin për të vizituar të ngujuarit nëpër auditore, pjesë e të cilëve, ditën e djeshme, janë bërë edhe pedagogët e shkencave sociale, por edhe për të bërë publike projektet  e të ardhmes.

Ku më kryesori është çlirimi i dy shteteve të të njejtit komb, Kosovës dhe Shqipërisë, nga lidershipi që si ves të trashëguar ka vënien në shërbim të politikave shoviniste të fqinjëve. Gjë që ka mbjellë dhe vijon të mbjellë politika kombëtare varfëruese. Jo zhvilluese, jo demokratizuese, që nuk i shërbejnë shqiptarëve, por interesave të ustallarëve të cilëve lidershipi u shërben.

Në kontekstin e fjalës së tij para medias, krahas të tjerave, Albin Kurti la të kuptuar qartë faktin se duke mos i shërbyer interesave kombëtare, shtetarët shqiptarë të të dyja anëve, pra Kosovë e Shqipëri, kanë zgjedhur për miq, bashkëpunëtorë e këshilltarë njerëz të papërshtatshëm. Të cilët përfitojnë për vete nga shërbimet ndaj fqinjëve agresorë dhe nuk e kanë fare në fokus interesin kombëtar.

Me deklaratat e bëra nga Tirana,Albin Kurti, ka gërvishtur një plagë mbarëkombëtare, duke i dhenë përgjigje pyetjes: përse, edhe pse kanë kaluar dekada vite në paskomunizëm, çështja shqiptare vijon të jetë ende problem për zgjidhje. Rrjedhim kjo e faktit se asnjëherë të vendosurit në krye të punëve të shtetit nuk kanë menduar për të bërë Shqipërinë e Kosovën, por për ti pasur këto troje miniera pasurimi për vete.

Devizë e mjaftueshme kjo për tu venë në shërbim të fqinjëve lakmitarë, që historikisht e kanë sunduar dhe vijojnë ti sundojnë politikat vendore.

Unë nuk mendoj se kryeministri i Shqipërisë është pro ndarjes së Kosovës por unë mendoj që ai ka zgjedhur për miq dhe bashkëpunëtorë njerëz të papërshtatshëm, të cilët përfitojnë për vete edhe nuk e kanë fokus as interesin kombëtar dhe as shtetin e Kosovës”,- ka qenë gozhda e parë e ngulur nga Albin Kurti, lideri karizmatik kosovar i VetëVendosjes.

Por Kurti nuk ka ngurruara të denoncojë, edhe me emër konkret, shërbimtarin e keq Baton Haxhiu, këshilluesin e kryeministrit Edi Rama.

 Baton Haxhiu është një ndër njerëzit më të urryer në Kosovë për shkak të lidhjeve të tij me shefin e Shërbimit Sekret Shtetëror serb, i cili i ka formuar edhe “Tigrat e Arkanit” edhe “Skorpjonët”, edhe “Beretat e Kuqe”, tri formacione famëkeqe që kanë bërë masakra në Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë. Ky person me kaq shumë ndikim, nuk ka shpjegim ndryshe, përveç faktit se shteti i Serbisë vazhdon të qëndrojë pranë tij,”- është shprehur Albin Kurti, duke paralajmëruar projektimin e një “Pranvere shqiptare” gjithëkombëtare si lëvizje e domosdoshme për çlirimin nga vasaliteti.

“Mendoj që edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri duhet të fillojmë të mendojmë dhe të përgatitemi për një pranverë shqiptare. Në kushtet kur ekonomikisht jemi dobët, ushtritë i kemi pothuajse inekzistente e ndodhemi në një udhëkryq edhe kohor edhe hapësinor, edhe si Ballkan, në vitin 2019 është e domosdoshme që populli shqiptar të rishfaqet dhe ta demokratizojë veten në mbrojtje të detyrës së tij kombëtare për bashkim dhe të interesit të tij shtetëror për integrim europian,”- e ka përmbyllur fjalën e vet në Tiranë Albin Kurti. Që nga srudioja e emisionit “A Show”, duke komentuar një foto të tryezës së darkës së të dielës në Prishtinë, me pjesëmarrjen e kryeministrave Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, të presidentit Hashim Thaçi, kryekuvendarit Kadri Veselit dhe zv.kryeministrit Behgjet Pacolli, shtoi:” Bashkimi kombëtar nuk bëhet në zyra e shtëpi private, por në sheshe e institucione publike, duke rritur ekonomitë tona, duke njehsuar tregun, duke harmonizuar politikat e jashtme dhe të mbrojtjes…”.

SHKARKO APP