Pogradeci tej shëtitores me drita

Nga Gentian Çala –

Rilindja vazhdon me propagandën e investimeve, por mjafton të marrësh rrugët për në Mokër (aty ku ndodhen disa prej pasurive të trashëgimisë kulturore) apo përtej Dardhasit dhe kupton se investimet mungojnë. Rrugë vëshirësisht të kalueshme, fshatra gjysëm të zbrasura, të rinjtë me sy nga emigracioni, shumë fshatra pa ujë të pijshëm. Investimi i rrugës Qukës – Qafë Pllocës ka mbetur përgjysëm për mungesë të fondeve.

Situata në zonat rurale u përkeqësua me refornën e riorganizimit të pushtetit vendor, ku zonat e thella nuk shohin investime prej disa viteve, as për infrastrukturën rrugore, as për ujin e pijshëm, as për kanalizime, shkolla apo qendra shëndetësore. Flluska e 100 fshatrave ishte thjesht propagandë, po aq sa ajo e Rilindjes Urbane. Fshati Lin, një nga perlat e bregut liqenor, i përfshirë në këtë program gjatë sezonit të verës ka vuajtur mungesën e ujit të pijshëm.

Disa prej investimeve të bëra në tre vitet e fundit kanë cilësi të dobët ose janë bërē larg parametrave të duhur, duke kujtuar si unazën e qytetit apo rrugën nga dalja e Pogradecit drejt Qafë Plloçës. Investime të cilat bëhen me shpejtësi dhe kryesisht në prag të garave elektorale.

Pushteti vendor me arrogancë dhe pa marrë në konsideratë mendimet e banorëve dhe të specialistëve të mjedisit cakton vend për tranzitin e mbetjeve aty ku duket më pak i përshtatshëm, në fshatin Gështenjas duke hasur në kundërshtimin e banorëve.

Rilindja nuk ka bërë gjë tjetër veç ka dëmtuar biznesin, turizmin dhe zonat rurale të qytetit. Mjafton ti vizitoni dhe të flisni me banorët për të kuptuar se Pogradeci, përtej shëtitores me drita, vuan pasojat e keqqeverisjes të atyre që bëjnë propagandë, fasada dhe pas lenë vetëm rrënim.

Pyesni qytetarët, dëshmitarë të xhepave të boshatisur, bizneset që mezi mbijetojnë, të rinjtë e mbetur rrugëve dhe e kuptoni se realiteti është krejtësisht i ndryshëm nga propaganda e arritjeve dhe e investimeve.

SHKARKO APP