Pse janë trembur minjtë nga fjalimi i Vjosës?
Nga Red Varaku –
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani mbajti një fjalim historik në kuvendin e Shqipërisë, jehona e të cilit nuk po shuhet pavarësisht përpjekjeve të mëdha dhe të liga të propagandistëve pranë qeverisë shqiptare për ta relativizuar fuqinë e tij.
Në fakt kjo jo dhe aq për faj të aftësisë së tyre sesa prej fuqisë së të vërtetave që ajo artikuloi qartazi dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë.
Të vërteta që lidhen drejtëpërdrejtë me aspiratat tona më të larta kombëtare dhe që do të prodhojnë jo vetëm zhvillim, por njëkohësisht dhe rifaktorizim të shqiptarëve në Ballkan.
Ajo evidentoi disa arsye që kanë çuar në dobësimin e Kosovës dhe rrjedhimisht dhe në defaktorizimin e shqiptarëve në Ballkan dhe njëkohësisht ofroi dhe një zgjidhje për situatën ku ndodhet kombi shqiptar.
Arsyeja e parë që ajo sjell në vëmendjen tonë si shkaktare të dobësimit tonë si komb është mungesa e një qëndrimi të unifikuar shqiptar në lidhje me çështje me interes të pastër kombëtar.
Ideja e saj për unifikimin e qëndrimeve të të gjithë faktorit shqiptar, nuk është thjesht një kërkesë, por është domosdoshmëri për egzistencën tonë. Ajo e ilustroi atë me simbolikën e heqjes së traut që është kthyer në simbol të ndarjes dhe përçarjes kombëtare.
Arsyeja e dytë është pjesëmarrja në projektin rus të Mini-Jugosllavisë. Refuzimi i këtij projekti është me interes jetik për kombin. Ky refuzim nuk është thjesht një përpjekje për të ndalur revanshin ekonomik të Serbisë, por është një përpjekje e qartë për të ndalur projektin rus që synon ta kthejë Beogradin në kryeqytet të Ballkanit dhe shqiptarët në vasalë të tij.
Arsyeja e tretë që ajo thekson është mungesa e qartë e një qëndrimi kombëtar në lidhje me gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës. Miratimi i rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë nga Parlamenti Shqiptar është një akt që nuk synon vetëm të risjellë në kujtesë fytyrën e vërtetë të Serbisë, por dhe të rikthejë në vëmendje faktin që në Kosovë nuk është tharë ende gjaku që kanë derdhur çetnikët serbë.
Gjithashtu, miratimi i kësaj rezolute synon të korigjojë dhe risjellë në korniza reciprociteti dhe marrëdhënien e Shqipërisë me Serbinë, e cila me Ramën njohu kulmin dhe u kthye në një thikë pas shpine mbi Kosovën, duke bërë një dëm të pallogaritshëm, aq sa u tentua ndarja e territoreve të saj.
Fjalimi i saj ishte aq i qartë sa deri tani përveç sulmeve të ulëta personale mbi të, askush nuk ia ka dalë ta rrëzojë me argumente dhe të parashtrojë një qëndrim alternativ më të mirë në lidhje me çka ajo paraqiti si zgjidhje.
Vetëm se skaneri që ajo i bën situatës aktuale të kombit, përveç se evidenton problemet propozon dhe zgjidhjen për ringritjen tonë si faktor kryesor në Ballkan.
Ajo sugjeron një ndryshim radikal kursi, e cila nuk mund të realizohet pa një operacion strukturor.
Një operacion që do të prodhojë në mënyrë të pashmangshme largimin dhe eliminimin e elitave të korruptuara si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri.
Në fakt ky operacion strukturor për eliminimin e agjentëve politikë të shitur dhe të korruptuar është aktualisht në proces. Në Kosovë mbaron në janar, ndërsa në Shqipëri në prill.
Dhe këtë më së pari duket se e kanë ndjerë minjtë.