Pse zgjedhjet e lira janë kryekushti për hapjen e negociatave?

Nga Red Varaku –
E gjithë propaganda e rilindjes ka vetëm një qëllim: të shmangë sa më shumë të vërtetën që arsyeja e bllokimit të negociatave janë zgjedhjet e ardhshme. Pra, të fshehë sa më shumë thelbin e mesazhit të BE që zgjedhjet e lira janë kushti kryesor për hapjen e negociatave.
Në formulimin e idesë, në histerizmin e mercenarëve mediatikë, në ndërtimin patetik të argumentit, ndjehet sforcimi për të zhvleftësuar procesin e integrimit dhe përpjekja për të fshehur të vërtetën e madhe që zgjedhjet e ardhshme janë kryekushti për hapjen e negociatave.
Madje sipas tyre, deklarata e BE jo vetëm nuk bën përgjegjëse qeverinë , por është një çlirim nga përpjekja tinëzare sipas tyre e opozitës, që vazhdon të thotë akoma se zgjedhjet e lira janë kusht për hapjen e negociatave.
Por, e vërteta është që e gjitha kjo përpjekje bie dhe rrëzohet menjëherë sapo përballet me një të vërtetë të thjeshtë dhe të pastër.
Procesi i integrimit është thjesht një mekanizëm presioni për përmirësimin e demokracisë, nëpërmjet kushteve që BE vendos mbi qeveritë e korruptuara të vendeve që duan të bëhen anëtare të BE.
Në rastin tonë BE na ka vendosur 15 kushte për avancimin e procesit për Shqipërinë. Dihet që kryekushti është reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj, që do të thotë troç aplikim i saj në zgjedhjet e prillit. Thënë shkurt pa zgjedhje të lira nuk ka negociata dhe sigurisht vendimi për negociatat do të jepet pas zgjedhjeve të prillit.
Me sa duket ata sikur e ‘harrojnë’ më shumë se shpesh, që thelbi i krizës shqiptare lidhet ekskluzivisht vetëm me trafikimin e vullnetit të qytetarëve, ose ndryshe me manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 nga kjo qeveri.
Kjo ishte arsyeja se pse opozita shqiptare mori dy vendimet më të forta të ndërmarra ndonjëherë në politikë shqiptare vendimin për djegjen e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale.
Ndërkohë dihet botërisht që garant kryesor për zgjidhjen e krizës nuk është qeveria, por është qartazi Bashkimi Europian dhe çdo devijim nga ky arsyetim nuk prodhon asgjë, përveç se faqes së zezë për atë që e bën.
Pavarësisht silogjizmave dhe sofizmave pa thelb, askush nuk e ka akoma një shpjegim tjetër bindës për bllokimin e integrimit për shtatë vjet me rradhë, përveç se dështimit të qeverisë dhe presionit që BE po bën për largimin e saj.
Shmangja nga përgjegjësia për dështimin për të shtatin vit rresht dhe fajësimi i opozitës për këtë, është një version jo vetëm fyes, por edhe krejtësisht pa imagjinatë.
Ndërsa fajësimi i Europës sikur kjo po ndodh për shkak të problemeve të brendshme të saj dhe nuk e do zgjerimin , hidhet poshtë nga një fakt shumë i thjeshtë, fakti që Maqedonia e tejkaloi këtë fazë.
E vërteta është që Europa e ka vërtet një problem, por problemin e ka vetëm me këtë qeveri dhe kjo duket ashiqare, ndaj po e kushtëzon integrimin me zgjedhje të lira .
Të mos e kuptosh këtë edhe pas shtatë vjetësh bllokim nuk mjafton të jesh thjesht adhurues qorr i Edi Ramës, por njëkohësisht duhet të jesh dhe një qenie inferiore, pa dinjitet.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?