Publikohet “Gazetar në Radio” i Arben Mukës

Në datën 5 prill 2017 ka dalë në qarkullim libri “Gazetar në Radio” me autor Dr. Arben MUKA. Ky është botimi i dytë i tekstit që përdoret nga studentët e Gazetarisë dhe Komunikimit dhe është  produkt i “Botimet M&B” në Tiranë, mbështetur nga ABC Media Center.

Në parathënien e këtij libri, (botimi i parë u bë 10 vjet më parë nga Instituti Shqiptar i Medias në Tiranë) autori shkruan:

Gazetar në Radio ka pasur disa arsye thelbësore për ribotim.

Edicioni i parë që u publikua para dhjetë viteve dukej së fundmi i mpakur. Normal në një dinamikë që nuk ndalet: mjaft koncepte dhe trajtime nga gazetaria radiofonike kanë ndryshuar me themel nga efektet e ndryshimeve teknologjike, aplikimet në internet dhe konkurenca që u vjen redaksive nga mediat e reja. Thuajse në çdo vit akademik kam ndërhyrë tek Gazetar në Radio i vitit 2007, duke e pasuruar dhe përditësuar ciklin e leksioneve për studentët, si nevojë imediate për të përçuar teorinë dhe praktikën e të bërit gazetari në radio në kohët e sotme.

Duke reflektuar “apokalipsin” në erën digjitale: konvergjencën, sjelljen multimediale, dualitetin e produktit on air & online, të cilat padyshim kanë influencuar ndjeshëm në mjedisin organizativ dhe parametrat e infrastrukturës ku punon dhe prodhon redaksia radiofonike. Nga ana tjetër, duke treguar presionin e drejtëpërdrejtë që ushtron audienca, mënyrën se si ajo e merr sot informacionin dhe e shijon argëtimin që ofron media, por dhe si ajo kontribuon vetë në ideimin dhe realizimin e audiopërmbajtjeve.

Teksti i dhjetë viteve më parë u lancua në kohën kur në tregun radiofonik shqiptar sapo ishin shfaqur hapësirat e para virtuale të stacioneve kryesore. Faqet online bartnin mjaft dilema të karakterit gazetaresk, ekonomiko-financiar dhe estetik për menaxhimin e tyre. Tani pas një dekade jemi në kushte të tjera, të cilat nuk duhen prekur shkarazi por analizuar dhe krahasuar, pra, duke u dhënë hapësirën e domosdshme në një tekst që destinohet përsëpari për studentët e gazetarisë dhe komunikimit, kontigjenti prioritar për të punuar në redaksitë e radiove, apo për të ushqyer fluksin e podcast-eve në rrjet.

Ndaj dhe ishte koha për edicionin e dytë të Gazetar në Radio.

Ama duke pasur parasysh dhe faktin se asnjë botim mbi gazetarinë në kohët e sotme, sado perfekt të jetë, nuk mund të “prehet” afatgjatë në listën e literaturës së ofruar për studentët dhe kërkuesit e fushës. Në rrethanat e një industrie mediatike që nuk ka të ndalur në ridimensionimin e saj, folder-i i punimeve të tilla në desktop-in e kompjuterit të duket si një hapësirë virtuale vazhdimisht “under contruction”.

 

SHKARKO APP