Receta sekrete e melomakaronave, ëmbëlsira e Krishtlindjeve

Melomakaronat janë biskota tradicionale greke me arra dhe mjaltë, të cilat përgatiten veçanërisht me rastin e festës së Krishtlindjeve.

Për rreth 25 biskota:

300 gr miell
120 gr gjalpë në temperaturë ambienti
75 gr sheqer pluhur
160 ml vaj ulliri i cilësisë më të mirë
2 lugë kafe kanellë
1 lugë kafe pluhur pjekës
1 gotë (uji) arra të grira
1/2 lugë të vogël karafil pluhur
1 lugë gjelle konjak
Lëngu i një kokrre portokalli

Për sherbetin:

6 lugë gjelle mjaltë
1 gotë ujë
1 gotë sheqer
1 lugë gjelle lëng limoni

Përgatitja:

Në një enë të thellë, me ndihmën e mikserit, rrih gjalpin, vajin e ullirit dhe sheqerin pluhur, derisa masa të marrë një ngjyrë të hapur. Shto lëngun e portokallit, karafilin pluhur, kanellën dhe konjakun duke vazhduar përzierjen edhe për pak sekonda. Shto miellin dhe pluhurin pjekës, duke e përzier të gjithë masën me dorë derisa të bëhet homogjene. Merr copa të vogla nga brumi duke u dhënë formë (ovale ose rrethore)dhe vendosi njëra pas tjetrës në një tavë të shtruar me letër furre. Piqen në furrë të parangrohur në temperaturë 180 C për 20-30 minuta, kjo derisa biskotat të kenë marrë ngjyrë të artë.

Përgatitja e shurupit:

Në një tenxhere apo tigan të thellë hidh ujin, sheqerin, mjaltin dhe lëngun e limonit. Përzieje masën në zjarr të ngadaltë për rreth 10 minuta. Në një enë të vogël bashko masën me arra të grira imët, pak gjalpë, kanellën dhe 2 lugë gjelle nga shurupi i mësipërm. Pasi biskotat janë ftohur, futi në sherbet nga dy ose tre me ndihmën e një luge me vrima. Lëri për disa sekonda dhe nxirri menjëherë duke i spërkatur me arra. Vendosi në një pjatë derisa të ftohen plotësisht.

SHKARKO APP