Rehova shpallet Qendër e Mbrojtur Historike

Rehova piktoreske, e cila shtrihet në rrëze të malit të Gramozit, me vendim të KKR, së fundmi është shpallur Qendër e mbrojtur Historike. Fshati i Rehovës është i njohur në të gjithë vendin për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme.

Propozimi për shpalljen e Qendrës Historike në fshatin Rehovë synon ruajtjen e vlerave historike, urbanistike e arkitektonike të këtij fshati, për t’i dhënë kështu një rol të rëndësishëm si një qendër e zhvillimit të turizmit në zonën e Kolonjës.

Qendra historike ruan vlerat urbanistiko-arkitektonike të fshatit, e cila ruan gjini të ndryshme ndërtimore si ndërtime shoqërore, kulti dhe banesa popullore.

Qendra historike përbëhet edhe nga zonat e gjelbra të përfshira brenda saj. Qendra Historike e fshatit Rehovë, përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese dhe përbëhet nga një kompozim kompakt tradicional që zhvillohet rreth kishës dhe sheshit qendror të fshatit.

Ansambli i ndërtuar paraqet tipologji interesante veçanërisht në krijimin e hapësirave urbane, si dhe përfshin një numër të konsiderueshëm banesash me një tipologji të larmishme dhe një rrjet rrugor të shtruar me kalldrëm.

Ndërtimet në përgjithësi janë 2-katëshe dhe janë ndërtuar me mur guri, si dhe ka një numer të konsiderueshëm portash me hark dhe sofat me gurë të gdhendur.

Ministria e Kulturës bashkë me IMK dhe institucionet e tjera të trashëgimisë është kujdesur që në bazë të vlerave që ruan Rehova, të krijojë një destinacion të veçantë për turistët, atë të “Intenerarit apo Rrugës së Portave”.

Në pjesën e vjetër të fshatit Rehovë, një nga gjërat karakteristike që vihet re lehtësisht janë portat e shtëpive në rrugët me kalldrëm, të cilat në një pjesë të madhe të tyre ruajnë karakteristikat e punimit nga mjeshtrat rehovarë si dhe kohën kur janë ndërtuar, që daton deri në fillim të shekullit 20.

Në një vizitë të zhvilluar disa javë më parë, ministrja Kumbaro vlerësoi këtë detaj të Rehovës dhe ruajtjen që i kanë bërë vendasit trashëgimisë, të cilët kanë mbrojtur këtë karakteristikë të shtëpive të tyre, pa u tunduar për ta “modernizuar”.

Kumbaro në bisedat me banorët, u shpjegoi atyre se synimi është që edhe për Rehovën të krijohet i njëjti intenerar si Voskopoja, duke i dhënë këtij fshati një jetë të re.

Kisha që gjendet në qendër të Rehovës, është ndërtuar në vitin 1820. Ikonostasi i saj ndërtuar me kontributet e rehovarëve gjendet sot në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, si një pjesë e çmuar e koleksionit të artit bizantin.

SHKARKO APP