Shkrimtarët: Të ndalohen filmat artistikë socrealistë me “diversantë” e “reaksionarë”

Ai tha para të pranishmëve në Muzeun Historik Kombëtar, ku u mbajt takimi në praninë e një grushti njerëzish, se ndër të tjera “duhet t’u dërgoni nga një shkresë OSBE-së dhe atyre që monitorojnë përmbajtjen e televizioneve kombëtare, sepse propaganda komuniste duhet ndërprerë nëpër televizione në radhë të parë. Filma të ndryshëm të prodhuar para viteve 1990, që dikur i shihnim një herë në javë, tani i shohim 24 orë”. Sipas Virion Graçit, televizionet kombëtare dhe ato lokale, të gjitha transmetojnë filma të asaj kohe e fëmijët tanë thonë përditë “vdekje fashizmit, liri popullit”. “Mund të duket si shaka”, shtoi Graçi, por sipas tij, – “në radhë të parë është e paimagjinueshme, që të shfaqen në Gjermani ata dokumentarë që Hitleri ka porositur vetë. Ndërsa në Shqipëri, këta shfaqen rregullisht. Në Shqipëri shfaqen filma që Enver Hoxha dhe të tjerë kanë prodhuar vetë. Nuk them të hiqen nga Arkivi i Filmit, apo të mos studiohen nga studentët që merren me historikun e kinemasë, por transmetimi i tyre, transmeton ide të pastra komuniste, terroriste”. Në vijim të idesë së tij, shkrimtari theksoi se “po nuk u ndërpre ky numër i tmerrshëm i shfaqjeve, është problem. Shfaqen 24 orë nga këta filma. Nëse një libër e lexojnë 5 veta në një lagje, një film e shohin gjashtë anëtarë të së njëjtës familje. Është forcë e madhe komunikative dhe imponuese kjo që kanë mediat”.

“PROPAGANDA”
I pyetur mandej nga “GSH” se për ç’filma e kish fjalën, për dokumentarë a artistikë, Graçi tha se “nuk jam kundër kinemasë e trashëgimisë sonë, por kur flitet për dekomunistifikim, për qëndrim ndaj diktaturës etj., kritere që ia kemi vendosur vetes për t’u bërë shoqëri demokratike e shtet europian, një numër veprash tipike propagandistike nuk mund t’i jepen më brezit të ri”. Në prononcimin e tij për “GSH”, shkrimtari sqaroi se, sipas tij, ata “fyejnë historinë, martirët, ata që e deshën Shqipërinë të lirë, perëndimore”.

“E para është çështje humanizmi; pastaj, kur historia zyrtare dhe ajo e dokumenteve si Instituti i Agron Tufës nuk kanë bërë vend te njerëzit, këta lloj filmash perceptohen gabimisht si dëshmi historike për të mirën e të keqen, për heronjtë e për tradhtarët, për përparimtarët e për gjoja reaksionarët”.
Në fund, Graçi shtron një pyetje, deri më tash pa përgjigje: “Si mund t’i shfaqim filmat ku kleri fetar tallet e denigrohet si në gjykatat e Enverit? Ndërkohë që ata shpallen martirë?! Filmat për grabitjen e pronës e të jetës të fshatarit të mesëm, të tregtarit?? Pa u rikthyer te Sigurimi, diversanti, ai që donte të arratisej etj., etj.

Përveçse urrejtjes klasore e dezinformimit, nuk shoh ndonjë vlerë mbizotëruese pozitive artistike në këta lloj filmash”. Pothuaj të njëjtin mendim me Graçin, ndan edhe poeti Agron Tufa. Ai tha se çështja e filmave, “është një temë e prekshme, është një realitet që për fat të keq vazhdon. Në fund, t’u drejtohesh këtyre filmave që kanë qenë inxhinieria më e madhe propagandistike e komunizmit, e vetmja vlerë ‘që kanë’ është se mësojnë fëmijën si të bëhet spiun i prindit, se si shokohen marrëdhëniet njerëzore, për çështje parimore a ideologjike”. Sipas tij, në këta filma, ata që mbrojnë pronën, fenë a shtetin janë personazhe negative. “Nuk e di se çfarë përfitimi mund të ketë shikuesi i sotëm; është një gjë e dëmshme për shëndetin publik”, tha Tufa, e i pyetur se për ç’filma flet konkretisht, saktësoi se bëhet fjalë për “filma artistikë socrealistë me “diversantë”, “reaksionarë” etj. Por edhe për dokumentarë të kohës së PPSH.

ARTI SI LUFTË
Mandej, fjalën e mori Çelo Hoxha, zv/drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Historian, përkthyes e poet, Hoxha tha se “këta filma janë rikthyer te RTSH-ja, që është TV publik”. “Në 29 nëntorin e kaluar, u shfaq një film që tregon se si njëri ka futur armën në miell, filmi ‘Ura’. Kapa një fragment. Është një TV publik që e paguajmë të gjithë. Vazhdon lufta e klasave përmes artit: ne e paguajmë të gjithë bashkë që njëra palë të godasë palën tjetër”, u shpreh Hoxha.

Në fund, Bilal Kola u shpreh se, sa u takon këtyre problemeve me televizionet private e shtetërore, zgjidhen duke i ndaluar me ligj disa shfaqje. “Nuk bëhet kështu në Gjermani. Për shembull, në muzeun ‘Madame Tussauds’, me Hitlerin nuk këshillohet të bëhet foto, sepse të thuhet se fyen njerëz të tjerë. Ka të bëjë me qasjen tonë ndaj historisë. Në Kushtetutë nuk lejohet përhapja e çfarëdolloj rryme, as qoftë një rrymë totalitare”, tha Kola. Ai shtoi se, në kontekstin e asaj që jep RTSH-ja, është promovim i një rryme që bie ndesh katërcipërisht me Kushtetutën. Sa i takon sondazhit të BE-së, që nxori se mbi 50% e shqiptarëve e duan Enver Hoxhën, Kola tha se “së pari duhej të ishte investuar. Nëse ne jemi në kufijtë e injorancës absolute, dhe në fakt aty jemi, atëherë çfarë sondazhi të bëjmë. Në një studim që ka bërë para një viti një institucion prestigjioz, Enver Hoxha dilte, ndonjëherë si aktor Hollivudi e ndonjëherë si burri më i mirë i këtij kombi; në fakt është antipodi i së dytës”. Kola e mbylli fjalën e tij, duke thënë se “duhet dënuar në mënyrë frontale- si pasojë e rënies ndesh me Kushtetutën e këtij vendi, Enver Hoxha dhe krimet e tij. Pa bërë këtë, në mënyrë absolute nuk do kemi mundësi që t’u qasemi mediave të marrin masa. Nuk i induktojmë ne mediat, por Kushtetuta”.
/GSh

SHKARKO APP