S’ka paqë me standardin, pa u kthye paskajorja

Nga Filip Guraziu

VALLZIMI QË NDRROI RRUGËN E JETËS TIME, DHETOR 1957
Adoloshenca mund të përkufizohet edhe kështu: ” Mosha në të cilen shoku dhe shoqnia përbajnë , mbas dashunisë familjare, gjanë ma të shtrejtë në jetë “. Së paku, ky asht konceptimi i im, rezultat i eksperiencës së jetës. Shokët e fëminisë në Shkodër ( Ndoku, Viktori, Bepi, Franko, Franci, Tonini) ishin edhe shokët e adoloshencës së parë; me ta ndajshe eksperiencat e para në jetë, gëzimet e para, sukseset e para, shqetësimet e para dhe sekretet e para. Na bashkonte mendimi politik, na bashkonte aktiviteti sportiv, na bashkointe besimi dhe ndihma reciproke. Ndihesha fatlum në shoqninë e tyne dhe kurrë nuk mendojsha se ndoj herë kishim me u nda , por… jeta të ballafaqon me të paprituna…!
Në Shtator të vitit 1957, në moshën 14 vjeçare isha nxanës i vitit të dytë në Gjimnazin “29 Nandor”, Shkodër . Më përfundimin e semestrit të parë mësimor dhe me rastin e vitit të ri, drejtoria e shkollës kishte planifikue mbramje vallzimi me pjesëmarrjen e të gjithë nxanësave të vitit të dytë. .Jo vetem për mue, por për të tanë nxanësat ky lloj aktiviteti ishte nji risi dhe natyrisht e përjetojshim me emocione…U mundova me u veshë sa ma mirë për mbramjen e vallzimit; pantallona tip kilot ( si punë brakeshash në fund) dhe xhup leshi me fyt, i punuem prej nanës). Shkova pak me vonesë , mbramja kishte fillue: Në palestren e shkollës kishin vendosë në të tanë anët banka si ato të mencave ku ishin ulë nxanësat; djelmt dhe vajzat ishin grupue në pozicione të ndryshëm kurse në qender ishte vendi i orkestrës, fizarmonikë dhe kitarrë. Megjithse muzika kishte gjallni, fillimi i mbramjes ishte i “voktë” sepse asnjeni nuk po merrte iniciativen me shkue deri të grupi i vajzave për me i kërkue të drejten e vallzimit. Sapo ” ma guximtarët” e thyen akullin dhe filluen me vallzue , menjiherë mbramja mori ” hov” dhe vendi pothuej nuk mjaftonte për të gjithë ato çifte valltarësh. Vallzova edhe un, kjo lloj eksperience me jepte kënaqësi, te gjithë ishim të gëzuem.
Mbas do kohe, nji shoqe simpatike e klasës me të cilen kishim qenë së bashku qysh në fillore dhe kishim miqësi familjare me iniciale Ç.M. më dha me kuptue se donte me vallzue me mue. Vallzuem së bashku me ritmin e nji tango dhe në nji moment partnerja e vallzimit më thotë me za shumë të ultë dhe me shumë emocion; ” Filip, kam diçka shumë me randësi me të thanë, por ma parë due me më dhanë fjalën se njeriut të gjallë ske me ia tregue, sepse po fole e ma qite biseden, jeta e ime rrezikohet…!”
Mbasi u përbetova me sinqeritet , shoqia e klasës vazhdoi me lot në sy:” Sigurimi i Shtetit, nëpërmjet U.S. më ka ngarkue detyrën e raportimit për të tana bisedat që ban ti Filip! Rueje vedin dhe më ruej edhe mue! Po fole, më more në qafë!” U ngriva prej bisedës, megjithate gjeta forcë për me e falnderue me gjithe zemer shoqen besnike për ndihmën që më dha tue e sigurue se do të isha teper i kujdesëshëm.
Atë moment për mue mbramja mbaroi! Nuk vallzova ma dhe pak ka pak për mos me ra në sy për ndryshimin e gjendjes time shpirtnore u largova prej aktivitetit! Shkova në shtëpi i dërmuem shpirtnisht, ngjarjen e mbajta mbrenda vetes, ate natë nuk mbylla sy…
Ajo bisedë kishte ndryshue çdo gja mbrenda meje, nuk isha ma Filip i djeshëm, nuk kisha ma entuziazëm, deri shokët mu dukshin ndryshe, edhe qyteti kishte ndryshue, shkolla muk ishte ma ajo e para…
Pyetshe veten pse ky ndryshim në psiken time? A thue prej frigës?
“Altroego” prej thellësisë së shpirtit më dha përgjigje: -” Jo nuk asht friga, sepse ti nuk ke ba asgja kundër pushtetit e nuk ke ndërmend me ba asgja, por asht “neverija”; neverija që të shkakton politika e ndytë e “lufës së klasave”, neverija që ndinë dhe të futet në stomak, në bark, në gojë dhe gjithkund dhe të pshtjellon deri psikën kur ballafaqohesh me llomin, me intrigen, me shpifjen dhe me krimin.
Kjo neveri e neveritshme kishte shkërmoqë fillin e entuziazmit të adoloshencë së parë…!
Të nesermen vendosa: Do të largohem prej Shkodrës , axha Tonin dhe Dila në Tiranë më pritshin me krahë hapë! Do të provoj: vend i ri, jetë e re, shpresë e re!
Atë mbramje mblodha shokët për komunikimin e vendimit tim, tue i tregue thelbin, por jo bisedën dhe personin.” Duhet ta dini, iu drejtova, se jam dhe jemi të survijuem prej agjentave të Sigurimit, unë po largohem prej Shkodrës, ju tregohuni të kujdesëshëm, evitoni qëndrimin në grup! Nuk pat asnji diskutim, heshtje e plote, lajmi i bllokoi…!
Fati më ndihmoi, Tirana ndryshoi rrjedhën e jetës time, atje gjeta nji atmosferë krejtë tjeter…( ishin vitet e liberalizmit, pro politikës Hrushoviane)
Dy vite mbrapa , në 1959 u shpalla Kampion i Spartakiadës së Parë Kombëtare Sportive të Shkollave të mesme në basketboll që u zhvillue në Shkodër dhe po ate vit në Shtator, u nderova me Medaljen e Artë të Spartakiadës së Parë Kombëtare Sportive ( të rritun) si lojtari ma i dalluem në sportin e basketbollit.
Falë ” vallzimit fatal” jeta e ime ndryshoi… dhe rritmi i ” vallzimit të ri” më tërhoqi me forcën e tij…, por…por, Zig-Zagu i ” luftës së klasave” më doli përpara gjatë tanë jetës e deri sot që po shkruej këto rreshta!
F.G.
( Pjesë prej librit” Dromca kujtimesh” i derguem për botim)

SHKARKO APP