Sot, 104 vjet nga ngritja e flamurit në Tiranë

Flamuri i pavarësisë u ngrit për herë të parë në Tiranë mbas 500 vjet sundimi otoman, në datën 26 nëntor 1912. Flamuri u ngrit në sheshin përpara Bibliotekës Kombëtare nga patriotët tiranas Abdi Toptani, Muhamer Pazari, Ibrahim Agalliu, Shefqet Ndroqi.

Tirana u shpall kryeqytet në vitin 1920 me vendim të Kongresit të Lushnjës, ndërsa ishte themeluar për të qenë një qendër modeste shkëmbimesh për një popull bujk, që vuante mungesën e një tregu të afërt.

Bërthama e parë historike e qytetit lindi dhe hodhi shtat së bashku me xhaminë e vjetër te Sulejman Pashës në qendër të strukturës së sotme të Tiranës, pikërisht në kryqëzimin e arterieve kryesore të tranzitit tregtar ndërkrahinor.

Bashkë me xhaminë në fjalë u ndërtuan edhe banesa të shumta, midis tyre edhe ato të feudalëve dhe të të afërmve të tyre, në bregun e djathtë të përroit të Lanës. Me tej, në distancë 50-60 metra në perëndim të xhamisë, u ndërtuan një furrë, një banjë publike dhe një han, tre objekte shërbimesh që ndikuan në zgjerimin e pazarit. Këto ndërtesa, së bashku me banesat, ahuret, oborret, puset, gjelbërimet, rrugicat, sheshet dhe varrezat, të gjitha të përqendruara rreth ndërtesës së xhamisë, formonin një njësi sociologjike, pronësie, gjinie dhe lidhje familjare jo vetëm në krijimin e saj, por edhe shumë kohë më pas.

Bërthama e dytë urbanistike u krijua në fillim të shek. XVIII rreth xhamisë së Firës, e zhvendosur rreth 600 m në veriperëndim te bërthamës së parë, pikërisht aty ku takohen sot rruga e Barrikadave dhe rruga ‘Fortuzi’. Kjo ndërtesë e amortizuar u rindërtua mbi themelet e saj në vitet 1859, duke u quajtur kësaj radhe xhamia e Beshirit sipas emrit të tregtarit që e ndërtoi.

Ndërtimi i xhamisë së Zajmit në 1775 shënon fillimin e ndërtimit të bërthames së tretë, e cila ndodhet në verilindje të bërthamës së parë, në takimin e rrugës së Dibrës me rrugën ‘Thanas Ziko”. Bërthama e katërt nis me kohën e themelimit të xhamisë së Haxhi Et’hemit, e cila u vendos rreth 200 m në perëndim të xhamisë se vjetër, duke u rrethuar me banesa, kopshte, varre etj.

SHKARKO APP