Sot është ditëlindja e Bilal Xhaferrit, por në Shqipëri nuk u kujtua kush

Nga Ilir Seci/Sot është datëlindja e shkrimtarit Bilal Xhaferri, u lind më 2 nëntor 1935 në Ninat, Konispol. Kur ishte vetëm 8 vjeç i vdes e ama, kur ishte 10 vjeç regjimi komunist i pushkaton babën. I mbetur jetim, Bilal Xhaferri largohet nga vendlindja dhe rritet më shumë vështirësi, shkollën 7-vjeçare e mbaron natën në Sukth, Durrës.

Autodidakt Bilal Xhaferri nis e shkruan duke arritur të botojë në gazeta të kohës…

Në vitin 1966 i botohet vëllimi me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, libër që pati sukses ndër lexues në mbarë vendin, por nga ana tjetër xhelozi ndër drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, ku ja bënë benë… Poeti dhe prozatori i talentuar detyrohet të arratiset nga Shqipëria dhe mbërrin në Çikago, SHBA, ku vdiq më 14 tetor 1986, në rrethana misterioze…

…Për bashkëvendasit e mi nga Tropoja : -“A e dini se kur punonte në ndërmarrjen rruga-ura, Bilal Xhaferri, për një periudhë kohe ka punuar në Tropojë!? Ka punuar në rrugën Bajram Curri-Fierzë dhe pikërisht në këtë kohë viziton Kalanë mbi 3 mijë vjeçare të Rosujes, ku frymëzohet të shkruajë një nga veprat e tij që trajton njërën nga kryengritjet e Batove…

Bashkëngjitur me këtë post një poezi të Bilal Xhaferrit:

Natë Çame

Ndali çapin kopeja e ulqve
Në errësirën e thinjur me flokë bore.
Ndali çapin pranë staneve të heshtura
Kopeja e egër e pyjeve çame.
S’dëgjohen të lehura, s’dëgjohen blegërima,
Nuk duken më zjarret ku dremitin çobenët.
Vetëm deti rreh bregdetin me dallgë pa pushuar,
Vetëm hëna porsi dele e ndarë nga kopeja
Nëpër shtigjet e reve baret e vetmuar.
Ndali çapin kopeja e ulqve
Dhe përgjon e uritur në errësirën thinjoshe.

Ku ini ju çobenë me gunat e bardha?
Ku i kini delet që blegërinin kullotave?
Ku i kini qiprat, ku këmborët si këmbana?
Ku i kini qent e staneve që ulurinin si luanë?
Murrot, balot, gudot – armiqtë tanë të vjetër?
Ku janë që t’u tregojnë me çatallet e hekurt
Se si në shesh të luftës luftohet për jetën?

Hesht në errësirë Çamëria shkretëtirë,
vetëm dallga rreh parreshtur shkëmbenjtë kryeulur
Dhe jehona e saj e gjerë nëpër natën joniane
Përzihet me ulurimen e ulqve të uritur.

SHKARKO APP