“Stacione”, një udhëtim arkitektonik në Shqipëri

Në ambientet e Qendrës Rinore është hapur ekspozita “Stacione – Një udhëtim arkitektonik”, një studim i ndërtesave në shërbim të transportit në Shqipëri, si një tipologji arkitektonike, evoluimi i së cilës nuk është trajtuar më parë. Në këtë kategori përfshihen të gjitha llojet e transportit, duke filluar nga ai automobilistik, hekurudhor, detar e deri tek ai ajror.

Kjo ekspozitë është një tentativë për të kthyer vëmendjen në një kapitull të pashkruar të historisë së arkitekturës shqiptare, në trashëgiminë e realizmit socialist. Duke hedhur vështrimin në një periudhë me aktivitet ndërtimor intensiv dhe duke vlerësuar të thyer tabunë e përballjes me historikun e zhvillimit të vendit gjatë komunizmit, synohet të evidentohen vlerat arkitektonike e ndërtimore të periudhës 1945 – 1990.

Ekspozita fokusohet në studimin e ndërtesave në shërbim të transportit në Shqipëri, si një tipologji arkitektonike, evoluimi i së cilës nuk është trajtuar më parë.  Këtyre ndërtesave u janë  referuar me termin ‘stacione’, ku në aspektin arkitektonik, më të hasurat dhe më domethënëset janë stacionet hekurudhore që shpeshherë shërbenin edhe si stacione për autobusët ndërqytetës.

Nisma është vijim i një projekti kërkimor që po zhvillon Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (UPT) në bashkëpunim me Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit (MZHU). Njohja, dokumentimi, evidentimi dhe studimi i veprave arkitektonike, urbane dhe ndërtimore të realizuara gjatë regjimit totalitar, janë objektivat kryesorë të projektit që ka filluar në vitin 2014. Ky kërkim, është një studim tipologjik i arkitekturës dhe mbështetet mbi traditën e shkollës shqiptare, e cila ende sot, formimin e bazon në eksplorimin e tipologjive ndërtimore dhe funksionale. Pas dy ekspozitave të mëparshme (Banesat e Parafabrikuara – Histori me Beton’, Prill 2015 dhe ‘Ndërtesa të bardha – Arkitektura e spitaleve’ 1945-1990, Dhjetor 2015), këtë radhë, vështrimi ndalet tek arkitektura e stacioneve.

Në këtë ekspozitë paraqiten projekte të spikatura në krijimtari dhe kërkim arkitektonik, të cilat përfaqësojnë përpjekjet për një arkitekturë të lirë dhe komunikuese. Ndër projektuesit kryesorë të stacioneve, veçohen Agim Shehu, Anton Lufi, Arben Meksi, Koço Çomi, Koço Miho, Mimoza Kroi etj..

Përveç të kuptuarit të së shkuarës, kjo ekspozitë mbi stacionet kontribuon në debatin aktual mbi rolin e transportit publik. Ndërkohë, stacionet janë një aset i harruar i trashëgimisë materiale dhe historike të strukturave ndërtimore në qytetet tona. Përmes njohjes, studimit dhe vlerësimit të këtyre ndërtesave, synohet të nxitet vëmendja për ruajtjen e vlerave historike dhe arkitektonike që ato mbartin.

Vështrimi tipologjik i arkitekturës shqiptare, në periudhën 1945 – 1990, vjen si nismë për të njohur vetveten përmes arkitekturës dhe për të hedhur dritë mbi trashëgiminë e një periudhe me shumë hije.

Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë e hapur edhe ditën e neserme, ora 18:00, Qendra Rinore e Tiranës, Rruga e Kavajës.

SHKARKO APP