“Trajektorja e Ramës në pushtet? Mjafton t’i analizoni Ministrinë e Brendshme”

Nga: Gentian Çala

Është duke ndodhur. Sandër Lleshaj do të jetë Ministri i Brendshëm i tretë i detyruar të dorëhiqet. Trajektorja e Ramës në pushtet është thjesht një vijë paralele me atë që ka ndodhur në kabinetin më të rëndësishëm ministror. I pari iku për shkak të mpleksjes me trafiqet e paligjshme, i dyti sepse fshehu faktin se i vëllai kishte një dënim të pavuajtur në Itali. I fundit, Lleshaj ishte ushtaraku që i dha ngjyrime arrogante asaj ministrie. Trafiqet, mungesa e transparencës dhe arroganca, tre elementë diskreditues të qeverisjes së Ramës.

Problemet në fushën e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit erdhën duke u shtuar, ku institucionet e rëndësishme si Policia e Shtetit u politizuan dhe u vunë tërësisht në funksion të pushtetit të Ramës. Mjafton të kujtojmë se si oficerët e ndershëm përndiqeshin kurse drejtues të policisë të lidhur me trafiqet arratiseshin apo ishin të paprekshëm. Segmente të Policisë së Shtetit u përdorën në votime dhe ishin pjesë aktive e mekanizmit të tjetërsimit të votës. Pavarësisht nga të gjitha denoncimet, pushteti u mundua të mbulojë gjithçka dhe thuajse askush nuk u dënua për veprat penale për të cilat janë akuzuar publikisht.

Qeverisja e Ramës nga optika e analizës së punës të Ministrisë së Brendshme është jo vetëm e dështuar, por shpesh herë e kapur në anën e krimit, në mbrojtje të të fortëve dhe të trafiqeve, si dhe një trupë represioni ndaj opozitës. Rama ka qenë gjithmonë i shurdhër ndaj paralajmërimeve apo kritikave për zgjedhjet e tij në këtë Ministri, por ai ka vazhduar nga njëra zgjedhje e gabuar te tjetra. Ai ka qenë frymëzues dhe tolerues i degradimit të kësaj strukture shtetërore. Kurse Partia e tij ka mëkatin e heshtjes karshi gjithë kësaj katrahure.

Gjithësesi, shqiptarët në pak muaj do të kenë mundësi të ndëshkojnë me votë Qeverisjen e Ramës dhe Rilindjen. Mbani mend gjithçka ka ndodhur! Ministria e Brendshme ishte një nga zullumet që mjafton (pa i përmendur plot të tjera) për ta zbritur nga froni!

SHKARKO APP