Tre keqkuptimet e mëdha të protestës së opozitës!

Nga Alfred Peza –
Sa herë që opozita jonë e pas 2013, është rrekur të organizojë protesta të mëdha në Tiranë, në pamundësi për të patur të njëjtën qasje si në periudhën e parë opozitare (1997- 2005), i ka paraprirë ditës së mbajtjes së tyre, duke i dhënë zë disa miteve urbane politike, që kanë rezultuar keqkuptime të mëdha.

Kanë qenë pikërisht këto mite të rreme, që kanë ndikuar më së shumti në krijimin e keqkuptimeve më të mëdha tek militantët dhe opozitarët në përgjithësi. Për shkak se ato kanë synuar që të rrisin artificialisht motivimin e njerëzve, për ti çuar drejt shesheve ku suksesi ose dështimi shndërrohet thjeshtë në çështje numrash, opozita jonë nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka investuar që të vinte kjo ditë.

Kjo ditë, kur i është dashur plot 9 muaj për tu menduar mirë, përpara se ti thërrasë sërisht përkrahësit dhe mbështetësit e saj në shesh, e frikësuar nga dështimet e mitingjeve të fundit, ku zbrastësia ishte lajmi më i madh i prodhuar prej tyre. Po çfarë ka ndodhur dhe përse opozita jonë është sot viktima e miteve të rreme dhe keqkuptimeve që ajo vetë mbolli dhe rriti, Brenda gjirit të popullit të saj opozitar? Dhë mbi të gjitha, çfarë ishin ato dhe përse iu kthyen sot në boomerang?

Së pari, keqkuptimi i madh që liderët e opozitës sonë, drejtuesit e saj kryesorë duke nisur nga sekretarët, anëtarët e kryesive, deputetët dhe kryetarët e partive në bazë kanë përhapur, është ajo e organizimit të protestave bazuar mbi gënjeshtrën më të madhe në botë. Me ndihmën edhe të mediave rreth tyre, propaganda ka qenë aq e shfrenuar dhe aq e gënjeshtërt, sa militantëve dhe pjesëmarrësve të tjerë nëpër mitingje, gati u thuhej se ejani, se do përmbysim qeverinë! Ejani se do rrëzojmë Edi Ramën! Ejani se pas kësaj, do rikthehemi në pushtet! Ejani se nëse nuk do të jeni sot në këtë protestë, nesër do të jetë shumë vonë për të marë pjesën që u takon, kur të fillojë menjëherë pas kësaj, që të shpërndahet torta e pushtetit!

Së dyti, keqkuptimi i madh që është përhapur bashkë me keqkuptimin e parë, është fakti se protestat asnjëherë nuk janë thirrur nisur nga një kauzë e madhe, e fortë dhe programore e parimore opozitare. Nga një çështje e cila arrin që të kryqëzojë filozofinë e qeverisjes, në një mënyrë të tillë që përçon tek masat gjithnjë e më të mëdha të njerëzve edhe përtej zyrave, gardheve dhe strukturave e interesave të vockla politike, frymën e ndryshimit. Një çështje që e çon finalen e luftës politike në lartësinë dhe kufirin e një ballafaqimi të ri opozitë- mazhorancë, ku njerëzit dallojnë lehtësisht thelbin e ndryshimit të madh mes tyre. E ku pasi vendosin në balancën e instiktit dhe vetëdijes së tyre politike të dyja palët, ata përqafojnë gjithnjë e më pa ekuivok, ofertën e re opozitare.

Së treti, keqkuptimi i madh që është përhapur nga ana e opozitës sonë tek përkrahësit dhe mbështetësit e saj, gjithmonë me mbështetjen, përkrahjen dhe zellin e parrëfyer të një pjesë të medias, është ajo që lidhet me personalizimin e skajshëm, ekstrem deri në pathologji të luftës politike me emrin e Edi Ramës. Mazhoranca, duket zbatuar parimin e madh në politikë se kur kundërshtari është duke gabuar, “lëre, mos e ndërprit”, ka përfituar maksimalisht nga kjo gjë. Madje duket se aq shumë e paskan tepruar me këtë gjë, sa ditët e fundit, kritikat më të mëdha i erdhën nga zërat e zëshëm brenda vetes, brenda opozitës së bashkuar. Sa më shumë opozita vazhdon e vazhdon me këtë qasje opozita jonë, mazhoranca është e kuptueshme, që aq më shumë ka marë e mer çdo ditë e më shumë oksigjen.

Këto gabime, kanë nisur që të vihen re, që në startin e përgatitjeve të opozitës sonë për protestën e 16 shkurtit. E sigurtë është se nëse vazhdon kështu, duke bërë pa u ndalur gjithmonë të njëjtat gabime, edhe kjo protestë nuk është gjë tjetër veçse fundi i një filmi të vjetër, i parë shumë herë. Ose e thënë ndryshe, përsëritja mbresëlënëse e një dështimi të paralajmëruar. Alpenews.al

SHKARKO APP