Urimi i veçantë i këngëtarit italian Al Bano Karrisi për shqiptarët

Nga Zenepe Luka/Ka qenë surprizë e bukur, që ka gëzuar shumë fansat e këngëtarit italian Al Bano Karrisi në Vlorë dhe në të gjithë vendin, telefonata e bërë nga vetë Ai, nga kryeqyteti i Italisë, Roma. Shqetësimeve të vazhdueshme pranë shoqatës kulturore “Al Bano Karrisi” në Vlorë, i miqve, fansave të shumtë dhe qytetarëve vlonjatë, për gjendjen shëndetësore, që kalon këngëtari,pas një operacioni në zemër, ju ka dhënë përgjigje vetë këngëtari në telefonatën e bërë të martën.

Nga ana tjetër e telefonit, dëgjohet zëri i pastër,  i qetë i këngëtarit Al Bano Karrisi, që na informon mbi shëndetin e tij. “Jam shumë mire me shëndet, asgjë nuk ka ndodhur, përveçse është bërë koalidimi i zemrës sime, që më ka bërë më të fortë, më të ri dhe entuziast. Edhe zëri është rinuar, si të jem 30 vjeç. Jam duke bërë prova për koncertin, që do të jepet me rastin e Vitit të Ri dhe nga skena, ju përshëndes. Për mua kënga është jeta”,- thotë këngëtari i njohur.

Pasi interesohet për përgatitjet dhe se ku do të kalojmë  festën e ndërrimit të viteve, këngëtari vijon. “Gëzuar Vlora ime. Një vit i mbarë me shëndet dhe suksese. Më ka marrë malli, më duket sikur kam 1 vit që isha aty, kur nuk është mbushur ende muaji. Jam i interesuar të di, se si është me shëndet Albano, foshnja, që lindi më 29 nëntor, kur unë isha në Vlorë. Ju lutem, dërgoni një buqetë lule nga ana ime, me rastin e festës. Ndoshta ndonjëherë tjetër, do të mund të shkoj për vizitë në shtëpinë e tij”,- thotë këngëtari.

 Pyetjes sime, se kur do të vijmë për vizitë në Celino. Për shkak të gjendjes shëndetësore, që kalove, Al Bano përgjigjet. “Ejani kur të doni, sikurse keni ardhur përherë, por mos më zini në gojë situatën  shëndetësore. Ajo i përket të shkuarës. Ejani të festojmë ardhjen e Vitit të Ri 2017-të me verën: FELICITA”, shprehet ai.

Al Bano, përfundon bisedën: “Jua kam thënë disa herë: Mos kujtoni se ju më doni më shumë. Gaboheni, nëse nuk mendoni, që Unë, ju dua më shumë. Ndryshe nuk do të bëhesha shqiptar, nuk do të bëhesha qytetar i Vlorës. Duhet të mendoni, se jam aty, gjithmonë  dhe kur mungoj, mësojeni, se jam me koncerte nëpër botë. Gëzuar! Felicita”,- thotë me emocion këngëtari i madh që tashmë ka edhe nënshtetësinë shqiptare.

Biseda e gjatë e këngëtarit,  ju përcoll anëtarëve të shoqatës, miqve dhe dashamirësve, fansave të këngës së Al Bano Karrisit, miti i këngës italiane, me pasaportë shqiptare dhe me rezidencë në Vlorë. Kjo bisedë, jo vetëm na shtoi gëzimin e festës së ndërrimit të viteve, por edhe njëherë tregoi madhështinë, njerëzoren, dashurinë që ka për Shqipërinë dhe shqiptarët, gjeniu i këngës italiane Al Bano Karrisi.

SHKARKO APP