Voda: Disa bashki e kanë pasur fokusin jo tek pushuesit, por tek zgjedhjet

Sezoni turistik veror ka nisur dhe për rritjen e sigurisë së tij janë angazhuar mbi 1500 forca policie, jo vetëm në zonat bregdetare, por edhe në ato malore. Zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda rendit edhe disa nga problemet që janë vërejtur deri më tani nga disa bashki bregdetare që fokusin nuk e kanë pasur te pushuesit, por te zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.

Rreth 1500 forca policie janë angazhuar në total për mbarëvajten e sezonit turistik veror nga 1 Korriku deri më 31 Gusht. Gjatë një interviste për ABC News, zv/ministrja e Bredshme Rovena Voda, shtoi se, për t’i ardhur në ndihmë pushuesve janë stacionuar edhe mjetet ujore në zonat e mëdha bregdetare.

“324 punonjës policie i kemi të sektorit të rendit publik, kemi 63 punonjës policie të sektorit për krimet, 89 punonjës policie të sigurisë rrugore, kemi 128 punonjës policie të forcave lëvizëse operacionale dhe 907 punonjës të kufirit dhe emigracionit”, tha ajo.

Sipas Vodës, fokusi i disa bashkive bregdetare nuk ka qenë te qytetarët, por te zgjedhjet lokale që u mbyllën më 30 Qershor.

“Ka bashki që ndoshta të çoroditura nga procesi zgjedhor, apo të angazhuara më shumë në luftën politike se sa në përmbushjen e detyrave funksionale të qeverisjes vendore, nuk po kushtojnë rëndësinë dhe fokusin e duhur në përmbushjen e detyrimeve që kanë për sa i përket masave për sezonin turistik”, tha Voda.

Voda: Disa bashki e kane pasur fokusin jo tek pushuesit, por tek zgjedhjet | ABC News Albania

Në mesin e sezonit veror, numri dy i Ministrisë së Brendshme veçoi plazhin e Velipojës si destinacionin që paraqet më shumë probleme për turistët e huaj dhe vendas.

“Një nga zonat problematike që kemi ne në mospërmbushjen e këtyre standardeve kemi Bashkinë Shkodër. Vërehen disa mangësi nga inspektimet që kemi bërë ne. Ne do të vazhdojmë të jemi në terren. Policia e Shtetit do të vazhdojë të ketë vëmendjen maksimale në përmbushjen e sigurisë, por të mos harrojmë që janë detyra funksionale që i kanë organet e qeverisjes vendore”, tha ajo.

Në lidhje me mbytjet e kohëve të fundit të disa turistëve, Voda theksoi se, pjesa më e madhe tyre kanë që kanë humbur jetën, ishte jo për shkak të mungesës së kullave të vrojtimit.

Kemi mundur që deri tani të mundësojmë një sezon turistik deri disi të qetë. Edhe humbjet e jetëve fatkeqësisht të disa pushuesve që ne kemi pasur kanë qenë pjesa më e madhe me probleme shëndetësore. Mbetet edhe shumë për t’u bërë. Forcat e policisë janë në gatishmëri dhe çka bëj thirrje sërish është angazhim maksimal i strukturave të qeverisjes vendore”, tha ajo./ABC News

SHKARKO APP