Vuan nga skolioza, 2-vjeçarit i rrezikohet jeta!
Gjesoni është 2 vjeç, i pëlqen të luajë me motrën e vëllain e tij, por e ka thuajse të pamundur. I prekur nga skolioza, një sëmundje e rëndë e shtyllës kurrizore, jeta e tij është në rrezik.
“Kur ma thanë doktorët që vuan nga skolioza, unë nuk e njihja si sëmundje. Edhe tani nuk e di, më kanë thënë mjekët se do i këputen edhe gjunjtë. Që tani na ka mbetur disa herë fëmija në dorë se nuk mund të ecë dot. Fëmija 2 vjeç është o Zot i madh, nuk ke çfarë t’i shohësh nga trupi,” rrëfen Elvira, mamaja.
Ndërsa shtylla kurrizore sa vjen edhe i deformohet, frika e Elvirës është se sëmundja po i prek edhe këmbët. E vetmja shpresë është t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale, e cila mund të kryhet vetëm jashtë vendit. Mjekët kanë bërë me dije se operacioni kushton 30.000 euro, shumë e cila për familjen është e papërballueshme.
Ato pak të ardhura të fituara nga Alberti në emigrim kanë shkuar për trajtimin e vajzës së madhe e cila vuante nga epilepsia. Por, për shkak të pandemisë ai nuk mund të lëvizë më jashtë vendit. Ndërsa çdo ditë del në fshat në Sukth për të kërkuar punë, me shpresë se do arrijë të fitojë pak të holla.
“I ka këmbët me pulla të zeza që, ku do arrij ta çoj unë në kopësht apo shkollë?! Shpirtin do e shisja vetëm për të shëruar djalin, e shoh që dita-ditës gjendja e tij përkeqësohet.”
Ëndrrat e kësaj nëne për të birin janë të pafundme, por Elvira druhet se as në kopësht nuk do arrijë dot ta çojë. Gjendja shëndetësore e Gjesonit sa vjen dhe bëhet më delikate, pasi koha për atë nuk mund të presë dot më. Të vuajtur dhe të pashpresë, ata bëjnë thirrje me dëshpërim për të shpëtuar të voglin e tyre.