Zbuloni restorantin më të “ndershëm” në botë
Jemi mësuar me pronarë restorantesh që na lavdërojnë pjatat e tyre sikur të ishin kryevepra unikale, me përbërës të përzgjedhur si asnjë tjetër dhe me një teknikë të “përkryer”, që vetëm aty mund të shijosh. Jo gjithmonë premtimet mbahen dhe shpeshherë eksperienca e një dreke ose darke të shumëpritur mund të përfundojë me një shije të hidhur, në plot kuptimin e tij. Kjo nuk mund të ndodhë në një restorant të vogël të Montreal të Kanadasë, që kohët e fundit po merr famë ndërkombëtare falë “ndershmërisë” së tij.
Bëhet fjalë për restorantin kinez, Aunt Dai, pronari i të cilit, Feigang Fei, u shndërrua në heroin e çdo klienti të pavendosur pas shpërndarjes në Twitter të përshkrimeve të pjatave që përbejnë menunë e tij, që përfshin kuzhinë tradicionale kineze, por edhe variantin kinez të adaptuar për shijen amerikane.
“Duke parë pritshmëritë e mia, nuk e këshilloj së tepërmi këtë pjatë”, shkrua Fei në përshkrimin e derrit të ëmbël dhe pikant. “Nuk jemi të kënaqur 100% për salcën e kësaj pulë, nuk po del aq e mirë, por do të përmirësohemi”, është një koment tjetër për një gatim tjetër.
Të shumta janë edhe sinjalizimet ku thuhet se pjata e caktuar nuk është pjatë tradicionale kineze, dhe se do të ishte mirë të provonin diçka më autentike. Gjykimet negative nuk kanë ndikuar shumë te klientët, që vijojnë t’i marrin, të shtyrë ndoshta nga kurioziteti. Menuja e tij e ndershme po e bën atë të njohur, me më shumë se 75 mijë shpërndarje në rrjetet sociale, dhe prenotime që vijnë edhe nga jashtë vendit.