Ambasada Amerikane reagon për sulmin ndaj gazetares: Krimi ka frikë nga drejtësia e re
Ambasada e SHBA ka reaguar sot për sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala. Ambasada e SHBA vlerëson punën e gazetares Klodiana Lala në mbulimin e reformës në drejtësi dhe çështjeve të krimit, ndërkohë që kërkon zbardhjen e autorëve të ngjarjes sa më shpejt.
Sulmin me armë ndaj gazetares, ambasada e cilëson si një akt frikacak që tregon se kriminelët kanë frikë nga drejtësia e vërtetë shqiptare, që po afron.

Gazetarja Klodiana Lala
Deklarata e plotë e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë:
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala dhe familjes së saj. Ne nxisim autoritetet shqiptare të kryejnë një hetim tërësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë. Si gazetare, Klodiana ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbulimin e reformës në drejtësi, çështjeve të gjyqësorit dhe veprimtarisë kriminale. Fakti që ajo u vu në shënjestër demonstron rëndësinë e punës së saj – sjellja e së vërtetës tek populli shqiptar. Një media e pavarur është frymëmarrja e një demokracie të fortë. Akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frikë sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë”.
Banesa e babait të gazetarës Klodiana Lala u sulmua me armë gjatë orëve të para të mëngjesit. Në banesën që ndodhet në zonë e Laknasit u qëllua disa herë me kallashnikov. Në vendngjarje u gjetën 10 gëzhoja.
Fatmirësisht, nuk pati të lënduar pasi në shtëpi ndodheshin në gjumë fëmijët e mitur të gazëtares, e cila është marrë në mbrojtje nga policia. Policia ka nisur hetimet mbi ngjarjen që dyshohet se ka lidhje me detyrën e gazetares së kronikës.
Gazetarja Lala deklaroi se sulmi ndaj saj lidhet me detyrën që kryen. Autoritet më të larta të shtetit, Presidenti Ilir Meta, kreu i qeverisë, Edi Rama dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha dënuan aktin dhe kërkuan gjetjen e autorëve nga institucionet ligjzbatuese.
Ndërkohë, për rastin reaguan edhe Shoqata e Mediave Elektronike, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë si dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, duke dënuar sulmin që e cilëson një këmbanë alarmi që bie fort për rrezikun që u kanoset gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre të përditshme.
Lajmet të tjera për sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala
- Presidenti Meta telefonon Drejtorin e Policisë
- OSBE: Dhuna, shenjë negative për lirinë e shoqërisë
- Artan Hoxha: Krimi i lidhur me politikën është bërë më i fortë se kurrë
- Gazetarja Klodiana Lala: Po pres të flasin institucionet
- Berisha: Nga familjet mafioze të lidhura me qeverinë
- Vasili: Ditë e keqe për lirinë e gjithsecilit nga ne
- Unioni i Gazetarëve: Policia të gjejë autorët e sulmit
- Sulmi ndaj gazetares Klodiana Lala, PD: Akt Mafioz
- Agron Duka: Gjest mafioz, këtë hov ka marrë krimi në vend
- Kërcënimi i gazetares, kolegët: Shteti në dorën e krimit
- Fuga: Klodiana falënderon qeverinë për gadishmërinë, Basha akuzon Ramën?!
KOHA JONË SONDAZH

