Ambasadorja Yuri Kim, takim me drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano: Bashkë do ia dalim për të pasur më shumë siguri
Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka zhvilluar sot një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, mëson Panorama.
Ky është takimi i parë zyrtar mes ambasadores së SHBA dhe kryepolicit Nano, i cili mori detyrën më 7 tetor.
Pas takimit Nano, në një prononcim për mediat, tha se lufta ndaj krimit e korrupsioni nuk mund të bëhet asnjëherë vetëm dhe se bashkë do ia dalim për të pasur më shumë siguri e rend në vend.
“Sapo zhvilluam një takim me zonjën ambasadore. Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit që Policia e Shtetit ka me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të SHBA-ve, siç dihet SHBA-të janë partneri ynë strategjik dhe kemi mbështetjen kryesore të Policisë së Shtetit për trajnimet, logjistikën, konsulencën kështu që e vlerësoj shumë këtë bashkëpunim dhe këtë mbështetje dhe e sigurova znj. ambasadore që Policia e Shtetit do jetë në nivelet më të larta të performancës për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Kërkova dhe mbështetje që agjencitë ligjzbatuese mund të japin për Policinë e shtetit. Kjo është një luftë që nuk mund të bëhet asnjëherë vetëm, dhe duke marrë parasysh mbështetjen deri tani, jam i bindur që bashkë do ia dalim për të pasur më shumë rend dhe siguri në vendin tonë”, deklaroi Nano.
Ndërsa Ambasadorja Kim u shpreh se Policia e Shtetit nuk duhet të ndikohet nga faktorët e jashtëm dhe se do të ofrohet mbështetje për Shqipërinë.
“Erdha për ta takuar përgëzuar për pozicionin e ri zotin Nano. Konfirmoj se bashkëpunimi i SHBA-së për çështjet ligjore është i rëndësishëm, do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje, duke përfshirë pajisje, trajnime etj. Diskutuam rëndësinë që policia të rrisë besimin e publikut me integritetin e tyre. Nano dhe unë jemi mbështetës të fortë të prezencës së policisë. E dimë që policia ndërmer rreziqe të mëdha, qoftë dhe duke rrezikuar jetën, për të ruajtur ligjin e shtetin. Diskutuam si mund të sigurohet ligjshmëria, pa u ndikuar nga faktorë të jashtëm”, tha Kim.
KOHA JONË SONDAZH

