Basha: Buxheti i ri rrit taksat, përballje të fortë me qeverinë
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar sot në një prononcim për mediat se buxheti i ri i qeverisë Rama rrit taksat për shqiptarët si dhe favorizon pakicën në dëm të shumicës.
Basha ka paralajmëruar një përballje të fortë me qeverinë nesër në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2017. Basha argumentoi me shifra para mediave pse “Buxheti i vitit 2017 është një buxhet antisocial” duke e vënë theksin mbi të gjitha tek një rritje e re e taksave.
“Nesër Edi Rama do të paraqesë buxhetin e tij të fundit, buxhet i cili konfirmon buxhetet e viteve pararendëse për disa arsye. Së pari, është buxhet që i merr shumicës dhe i jep pakicës. Do të rriten prapë taksat. 10 milionë dollarë më shumë ka planifikuar t’u marrë shqiptarëve, duke e çuar rritjen totale të taksave gjatë qeverisjes Rama në 430 milionë dollarë në vit. Edi Rama që tre vite më parë erdhi në pushtet se 97% e shqiptarëve do të paguajnë më pak taksa, u mori shqiptarëve në këto tre vite 1.5 miliardë dollarë më shumë duke u rritur taksat”, tha Basha.
Më tej ai deklaroi se Rama ka rritur taksën e gazit për t’u shërbyer klientëve të tij, duke i detyruar qytetarët të paguajnë më shtrenjtë për produktin në fjalë.
“Ka rritur taksën e gazit. Pse e ka rritur? Për t’i shërbyer interesit publik? Jo! Ndërkohë që qytetarët po konvertojnë makinat e tyre nga nafta apo benzina në gaz, sepse gazi është më i lirë, ky do të mbrojë klientët e tij duke i detyruar qytetarët të blejnë naftë ose gaz ose t’ia paguajnë këto para Edi Ramës. Kjo është një masë që nuk ndihmon qytetarët”, tha kreu i selisë blu para gazetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

