Basha kërkoi ndryshimin e “Vettingut”, Xhafaj: Kerkesë absurde
Kreu i PD-së, Lulzim Basha bëri një kërkesë publike dje ndaj Kryeministrit Edi Rama për të ndryshuar ligjin e Vettingut për sistemin gjyqësor, i cili gjendet tashmë i bllokuar në Gjykatën Kushtetuese.
Përgjigjen ndaj Bashës e dha sot drejtuesi i Komisionit për Reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj, i cili e konsideroi absurd pretendimin e liderit demokrat.
“Gjëja më absurde që kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time parlamentare që kjo mazhorancë dhe kjo opozitë, domethënë partitë politike paskan fuqi të zhbëjnë dhe Gjykatën Kushtetuese. Partitë politike konsiderojnë më të rëndësishme një marrëveshje apo një pazar ndërmjet tyre se kështu duhet konsideruar kjo gjë, se sa rëndësinë e veprimit kushtetues.
Nuk arrij dot ta kuptoj fare as kryetarin e PD dhe as vetë PD e cila nuk mori pjesë në debatin për projektligjin e vettingut, nuk u angazhua fort për gjërat që ajo parashtroi sipas pikëpamjes së saj. E bëri një kauzë në Kushtetuese me të vetmin qëllim për të vonuar procesin, për ta penguar dhe shtyrë në kohë procesin. Sot kërkon atë që nuk mund të kërkojë një forcë politike serioze, që të mblidhen dy partitë politike dhe ti thonë Kushtetueses, ndërprite ti se vendosim kur ne biem dakord”., – tha Xhafaj duke shtuar se shpresonte që Gjykata Kushtetuese të ketë qenë serioze në pyetjet që i ka dërguar Venecias duke u treguar po aq serioze në respektimin e përgjigjeve që do të marrë nga Venecia.
KOHA JONË SONDAZH

