Basha: Kërkojmë institucione për dekriminalizim, sistemi mafioz ka ‘të madhin’ në Tiranë që i jep mbështetje

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar sot se PD-ja do të luftojë tani për të goditur goditjen e kupolës politike kriminale duke kërkuar ngritjen e institucioneve për dekriminalizimin e vendit. “Ligji i dekriminalizimit nuk mjafton, – tha Basha, – duhen institucione, pasi krimi i organizuar është ngritur në një nivel më të lartë, në sistem mafioz. Sistem mafioz do të thotë të kesh njeriun tënd në Tiranë, “të madhin”, që të jep mbështetje.”
“Reforma zgjedhore në këndvështrimin tonë ka në thelb dekriminalizimin e zgjedhjeve, – tha Basha, – dhe kryesore është votimi elektronik. Ky do të jetë hapi i parë, por jo i vetmi.
Më pas, ne do të kërkojmë ngritjen e institucioneve për dekriminalizimin e zgjedhjeve; nuk mjafton ligji i dekriminalizimit, që të mos kemi drejtues me rekorde kriminale në qeverisje, por ne kërkojmë një proces që dekriminalizon gjithë procesin zgjedhor, kriminelët të gjenden paraligjit nëse cenojnë procesin zgjedhor. Ajo që duhet të ndodhë është goditja e kupolës politike –kriminale.
Ngritja e nivelit të krimit të organizuar me klane dhe familje mafioze është produkt i lidhjes së politikës me të. Edi Rama ka shkëmbyer favore me të: ata i shërbyen në zgjedhje, Rama u ka dhënë favore: tendera, liri nga ndjekja penale.
Pra, hapi i parë është që nga krimi i organizuar kemi një sistem mafioz. Sistem mafioz do të thotë të kesh njeriun tënd në Tiranë, “të madhin”, që të jep mbështetje.
Pra, kupola politike e krimit duhet goditur dhe pa u goditur kjo, nuk vazhdohet. Të godasim kupolën kriminale në politikë. Duhet shpërbërë lidhja midis krimit me politikën. Kupola kriminale fillon me kupolën kriminale në krye të shtetit.”
Basha shpjegon ç’është sistemi mafioz
Kryetari i PD, Lulzim Basha, e ka shpjeguar me detaje për mediat se çfarë do nënkupton me dekriminalizimin e zgjedhjeve, çfarë është sistemi mafioz që sipas tij, ka kapur zgjedhjet tani, ndryshe nga krimi i organizuar që flitej deri dje.
“Se çfarë sistemi zgjedhor do të kemi nuk ka pikë rëndësie, – tha Basha, – nëse nuk dekriminalizojmë zgjedhjet, që do të thotë jo vetëm votimi dhe numërimi elektrik, por të pamundësojmë rolin e kriminelëve në proceset zgjedhore. Sepse ç’ka ndodhur? Kriminelët bëjnë kontratë, biznes me një person në zgjedhje: Ky do të jetë personi ynë në parlament! Pra, zgjedhin çunin e hallës, çunin e dajës, shokun…
Nëse më parë drejtuesit e PS bashkëpunimin me bandat kriminale për të blerë votat, tani PS jep një shumë parash për bandat si në Shkodër, Lezhë e i thotë: Ky është shpërblimi, kryejeni punën! Pra, na duhet një goditje me vendosmëri; të godasim kokën kriminale të bandës që të shkatërrojmë organizatën në terren.”
KOHA JONË SONDAZH

