Basha takime me demokratët e degës 7 në Tiranë: Jam përballë regjimit, por PD nuk mund të mbetet peng
Kreu i PD-së Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me demokratët e degës 7 në Tiranë, nga ku theksoi se ai ka mbajtur peshën më të madhe të vendimeve për të mirën e Partisë Demokratike.
Basha u shpreh se Shqipëria dhe PD-ja nuk do të mbeten peng, duke theksuar se është peng i demokratëve dhe shqiptarëve, si njeri i lirë në përballjen me regjimin dhe atyre që po përpiqen të përçajnë PD-në.
“E rëndësishme është një gjë, që ky proces do të ishte një proces i vështirë, për këtë i pari kam qenë i vetëdijshëm unë. Dhe se kam qenë i vetëdijshëm se sa i vështirë do të ishte procesi, kam bërë gjithçka që të mbaja peshën më të madhe të vendimit. Po pa këtë vendim, sot ne nuk do e dinim se ku do të ishte Partia Demokratike, apo a do të ishte Partia Demokratike. Çfarë ka rëndësi? Rëndësi ka të përdorim atë që na ka dhënë Zoti për të komunikuar, mendjen dhe gjuhën. Njerëzit komunikojnë me mendje dhe me gjuhë. Rëndësi ka ta përdorim ashtu siç dinë ta përdorin demokratët, me pastërti, me të vërteta dhe kur nuk biem dakord, edhe kur kemi mendime të ndryshme, edhe kur kemi kritika, edhe kundërshtira. Dhe duhet t’i kemi, se po s’i patëm nga ndryshon nga sistemi që kemi lënë pas. Mendim ndryshe po, kritika po, kundërshti po, të gjitha! Dhe me zë të lartë, garë po, por jo dhunë, jo mashtrime dhe gënjeshtra, jo vese me të cilat kemi 8 vite që përballemi në emër të demokratëve dhe në emër të të gjithë shqiptarëve me qeverinë më të korruptuar të Europës. Nuk mund t’i lejojmë tani këto vese të bëhen pjesë e sjelljes në Partinë Demokratike. Ndaj, nga njëra anë me të vërtetë janë një pjesë njerëzish, janë më pak se ç’kanë qenë para një muaji apo para dy muajsh, shumë më pak se ç’kanë qenë në 8 janar, një datë që duam ta harrojmë, por në fakt nuk mund ta harrojmë pa nxjerr konkluzionet brenda familjes tonë dhe do jenë edhe më pak kur ta kuptojnë që dora e shtrirë nuk është vetëm e imja, por është e çdo demokrati, se na bashkojnë qëllimet. Sepse mund të vëmë në pikëpyetje gjithçka, përveç motiveve dhe qëllimeve tona. Motivi është ky vend. Për këtë vend dhe për këta njerëz është themeluar kjo familje politike”, tha Basha.
KOHA JONË SONDAZH

