BATUTAT/ Rama-opozitës: Shtrihuni në rrugë po të doni, vonesën për vetingun e paguani sa frëngu pulën! Në kafe jeni ndryshe…
Kreu i ekzekutivit, Edi Rama me një fjalim të gjatë në foltoren e Kuvendit bëri prezantimin e pr/buxhetit të vitit 2017-të, të cilin e cilësoi historik për të financuar reformat e mëdha, ndërsa nuk nguroi të kërcënojë opozitën për reformën në drejtësi, kur tha se vonesën për ligjin e vetingut do ta paguajnë sa frëngu, pulën.
“Nuk keni shans të ndaloni reformën në drejtësi. Ne do vazhdojmë ta financojmë se jemi të bindur që do ta vononi po s’keni shans ta pengoni. Nuk e ndaloni dot zbatimin e reformës në drejtësi, ju do ta vononi dhe do ta paguani si frëngu pulën vonesën në zgjedhjet e ardhshme, nuk shqetësohem për këtë,
por se vonesa i lë faturë të rëndë vendit. Mund ta pengoni deri në vetëmohim por vetëmohimi juaj do vijë më shpejt se sa mendoni ju, nëse do vazhdoni t’i bëheni barrë Shqipërisë…Para kemi një rrugë pa kthim, pavarësisht se kush na shtrihet në rrugë përpara. Nuk kemi ç’bëjmë, iu përcjellim ngushëllimet tona më të sinqerta”,- tha Rama.
Ndërsa u shpreh krenar me punën e bërë nga kjo shumicë, kreu i qeverisë nuk i kurseu batutat me opozitën. “Ne jemi krenarë që e vëmë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur nga ju që i morët votën pa hesap dhe e latë pa hesap në rrugën e dëshpërimit. Atje në kafe duket sikur jemi një parti dhe kur shfaqeni për të bërë politikë jeni gjëja më e pabesueshme që ka prodhuar ky vend në historinë e politikës”.
“Qeveria e vjetër nuk bëhet dot kurrë qeveri e re deri kur të vazhdojë me avazin e vjetër, të shpifjeve, gënjeshtrave, recituesve të shpifjeve të gënjeshtrave që kanë zëvendësuar ekipin, e liderin që s’kanë me kë ta zëvendësojnë se e kanë një të vetëm e të papërsëritshëm” tha ai më tej.
Duke folur për buxhetin, i pari i qeverisë nënvizoi se” Ky buxhet është një arritje shumë e rëndësishme pas përpjekjesh të mëdha e mundimesh jo të vogla. Një nga treguesit më kuptimplotë është spostimi i 100 mln dollarëve nga arka e shtetit në atë të familjeve të punonjësve të shtetit dhe pensionistëve, rritja më e lartë në 25 vjet” tha ai.
Rama kujtoi se 8 vitet e shkuara, u spostuan 124 mln dollarë gjithsej, kurse vetëm me këtë buxhet spostohen 100 mln dollarë, ndërkohë që përmes uljes së taksës mbi të ardhurat personale në sistemin publik e privat bashkë janë spostuar 440 mln dollarë në 4 vite.
Më tej, kryeministri garantoi se rritja ekonomike do të jetë 3.5%, ndërsa ironizoi me skenarin grek që kishte parashikuar qeveria e kaluar, sipas tij. “Miqtë tanë në të djathtë i parashikuan vendin një skenar grek, pastaj vazhduan me uljen dramatike të konsumit dhe fantazuan deflacionin që do rezultonte fatale për qeverinë dhe PS që do përfundonte si PASOK. Ja ku është qeveria aty ku do jetë edhe sot një vit” tha ai.
/BW
KOHA JONË SONDAZH

