Ben Blushi: 80-vjetori i babait

Nga Ben Blushi

Sikur im atë të ishte sot, me siguri do më thoshte shkojmë në Dardhë për të festuar 80 vjetorin dhe tani mund ta imagjinoj si do ishte ngritur herët në mëngjes, atëherë kur të gjithë do ishim duke fjetur dhe do ishte nisur në këmbë deri në Sinicë, 4 kilometra më larg, një fshat nga i cili kishte shumë kujtime bashkë me shtëpinë ku kishte lindur nëna e tij.
Pasi të futej në atë shtëpi, duke shtyrë derën e rrëzuar, do hapte një shteg mes ferrave dhe trëndafilave të egër që të ngjiten në rroba, si dhe kumbllave e mollëve të pakrasitura të cilat kanë hyrë nga dritaret, në kërkim të njerëzve që dikur i kanë mbjellë. Në vend të trokitjes, do fuste dorën në xhep, aty ku mbante celësat e tij të zhurmshëm dhe do afrohej në ndonjë xham duke parë fytyrën e tij të pjekur nga dielli dhe mendimet. Nga lartësia e atij oborri që bije mbi rrugën e pluhurosur të Sinicës, do përpiqej të shikonte Dardhën, që fshihet në mënyrë dinake pas shumë kthesave dhe me siguri do mendonte se Dardha është më e bukur, por Sinica është më e dashur.
Pastaj, duke këputur ndonjë degë kumbulle që në gusht rëndohen nga kokrrat e ëmbla, do kapërcente derën e thyer dhe pa e kthyer kokën pas, do kalonte mbi urën e mrekullueshme të Sinicës, do shikonte ujin e kulluar që rrjedh poshtë saj dhe do shkonte pak më lart te varri i gjyshes. Pasi ta pastronte nga barërat dhe nga disa lule të vogla ngjyrë vjollcë, që në këto anë zbukurojnë varret e njerëzve të mirë, me siguri do gjente ndonjë kryq apo ndonjë gur të shndritshëm dhe atëherë do mendonte se ishte ora për t’u kthyer në shtëpi, bashkë me kujtimet e një kohe që nuk vjen më.
Në mesditë, atëherë kur dielli që kishte mbajtur gjithë kohën mbi shpinë, si një orë jete, do fillonte të ulej nga perëndimi, im atë do ishte shfaqur duke qeshur dhe duke i thënë mamasë sonë se nuk ishte vonuar as sot, siç nuk ishte vonuar asnjëherë në takimet e përditshme me të.
Derisa dreka të shtrohej, në rrëmujën e shumë pjatave që shoqërojnë 80 vitet e një njeriu, ai do t’i kishte treguar fëmijëve tanë, gjithë aventurat e 8 kilometrave ku kishte ecur, duke i mbushur gropat e fantazisë së tyre me lloj lloj lulesh, kumbllash, lajthish, mollësh, njerëzish, zogjsh dhe kafshësh derisa seicili prej tyre, i magjepsur nga kaq shumë ngjarje, që duket e pamundur të ndodhin në dy fshatra të vegjël, do kishte kërkuar që ai ti zgjonte nesër në mëngjes dhe t’i merrte me vete.
Atëherë im atë do t’i vinte në sedër, sikur t’i kishte shokë të ngushtë dhe do t’i thoshte se ai që nuk do zgjohej në kohë, do t’i humbë gjithë këto mrekulli që e bëjnë jetën e njeriut kaq të bukur dhe që lehtësojnë rrugën e vështirë nga lindja deri në ikjen e tij.
Pas drekës, kur të gjithë do shkonin të flinin nën hijen e arrave që mbulojnë shtëpinë dhe fshatin, ai do ulej në një cep të oborrit me fytyrë nga mali dhe do mendohej për jetën e tij, që nga dita kur vetëm me një palë sy bojëqielli si të ngjyer në qiejt e Sinicës, kishte ardhur nga Korca në Tiranë dhe aty kishte ndërtuar atë që donte më shumë : familjen e vet.
Në këtë pozicion krenar dhe të heshtur e gjeta 5 vjet më parë dhe nga sytë e tij e kuptova që ai e dinte që po ikte siç edhe iku, disa muaj më vonë. Ai e dinte që do ikte në dimër, pa mbushur dot 76 vjet, por asnjëherë nuk ia tha mamasë sonë, për t’ia bërë asaj më të lehtë deri ditën e fundit.
Tani që mundohem dhe mendohem për të përshkruar tim atë, jam i bindur se ai bëri të gjitha gjërat që donte dhe askush nuk pati fuqi ta detyronte të bënte diçka që nuk e donte.
Ai mendoi shumë, shkroi edhe më shumë, bëri poezi, tregime, romane dhe filma, krijoi personazhe që jetojnë prej tij edhe pas tij, gëzoi shumë njerëz, nuk i bëri dëm askujt dhe iku si të gjithë burrat e fisëm, të cilët i marrin armiqtë me vete.
Mua dhe vëllain tim, na mësoi si të rriteshim dhe nuk na la asnjë armik, çka është një pasuri në kohën që jetojmë.
Im atë kishte me tepri tre cilësitë themelore të një burri : ai ishte i qeshur me fëmijët, i dashur me gratë dhe i vërtetë me burrat.
Këto tre cilësi, ishin edhe arsyeja pse nuk u plak.
Iku i plotësuar, si një njeri që ka ecur gjithë kohën në këmbë, mes pengesave dhe kthesave, pa ndihmën e askujt. Gjatë rrugës, me siguri ka thyer ndonjë degë të thatë, ka ngrënë ndonjë kumbull të thartë, ka shkelur mbi ndonjë gropë, është vrarë, është lënduar, është rrëzuar, është ngritur, është ngjitur dhe në fund ka arritur aty ku ishte nisur : drejt nderit të vet.
Ky ishte im atë, Kiço Blushi, që sot do festonte 80 vjetorin e tij, në freskinë e malit të kujtimeve që na ka lënë.

SHKARKO APP