Bindja Demokratike? Biberaj: Pa rol, është fraksion në shërbim të mazhorancës
Aleksandër Biberaj, figure historike e PD-së dhe pjesë e kryesisë së saj, i ftuar në A2, komentoi strategjinë opozitare por edhe zhvillimet e fundit brenda saj, ku spikat lëvizja e re e promovuar nga deputetja Rudina Hajdari. Biberaj duke nënvizuar që “krizën nuk e ka shkaktuar opozita dhe nuk është ajo që duhet ta zgjidhë”, pranon gjithsesi që opozita e bashkuar është në rrugën e duhur për një marrëveshje që do të përcaktojë lëvizjet e ardhshme politike, që për momentin kufizohen në protestat që kërkojnë një qeveri transitore, dhe që sipas tij “do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen, duke u shtrirë në të gjithë Shqipërinë”.
A ka kohë për qeveri transitore? Biberaj thotë se “patjetër që ka kohë, po pati vullnet. Përndryshe zgjedhjet mund të shtyhen edhe në vjeshtë”. Koha tregon se ka dinamika brenda fronit opozitar, me lëvizjen e deputetes “rebele” Rudina Hajdari, që së shpejti pritet do të regjistrojë partinë e saj të re, “Bindja Demokratike”. Për këtë ai thotë se: ”Është qëndrimi i saj personal, por Hajdari duhet të kujtojë që mandatin e ka marrë nga Partia Demokratike, çdo lëvizje tjetër është jashtë PD”. Sipas tij, kjo lëvizje nuk cenon PD-në, sepse nuk është tjetër se “një fraksion i deformuar i PD-së në shërbim të mazhorancës” që nuk do të ketë asnjë rol në politikën kombëtare.
Akoma më i ashpër gjykimi i tij politik për Hajdarin. Për Biberajn, mandati i saj ishte “një dhuratë” e kryetarit Basha “një mandat honorifik për historikun e saj familjar”, që ajo nuk arriti të shfrytëzojë. Edhe Biberaj diku është larguar nga PD tek FRD. “PD ishte në pushtet. FRD e kam themeluar unë dhe z.Topi ishte i ftuar. Kur Topi mori partinë, historia e asaj partia mbaroi sepse një parti ka nevojë për programe dhe personalitete, gjë që z.Topi nuk ka. Kështu që patjetër që u riktheva në PD, ku papajtueshmëria ime ishte me disa elementë”.
KOHA JONË SONDAZH

