Bregu: Edi Rama nervoz për hapjen e negociatave
Për ish-ministren e integrimit Majlinda Bregu, kryeministri Edi Rama është nervoz lidhur me hapjen e negociatave dhe këtë e ka treguar edhe në intervistën e tij për “Der Standard”.
“Në fakt po të kujtosh deklaratat e para të Kryeministrit në 2013, që kishte një farë entuziazmi, kuptohet që ka një lloj nervizizmi. Por nuk është vetëm i Kryeministrit, por e ndjejmë në përgjithësi në të gjithë liderët e Ballkanit. Dhe të atyre që e duan Europën dhe nuk duan ta shohin më peng. Ka një ndjesi frustacioni për një rrugë që zgjatet e zgjatet. Megjithatë unë besoj se në këtë proces, deklaratat politike janë po aq të dëmshme nëse krijojnë bezdisje tek BE, dhe nëse ka një arrogancë që nuk e vë gishtin tek problemet e vërteta. Procesi varet shumë nga kriteret që kemi. Nëse shtrojmë pyetjen nëse jemi vërtetë aq të fortë sa për të hapur negociatat, unë kam dyshime”,-thotë Bregu e ftuar në Top Story.
Megjithatë për ish-deputeten demokrate, procesi i negociatave duhej të ishte hapur me kohë. Dhe për këtë ajo renditi një sërë arsyesh, që më shumë do ta ndihmonin jo vetëm procesin, por edhe situatën në Shqipëri dhe Ballkan.
”Më lër të them diçka për të cilën kam marrë edhe gjobën time politike. Procesi i hapjes së negociatave duhet të kishte ndodhur. Është hapi i radhës. E dyta ruan ritmin e politikës shqiptare sepse është motor. Ka një përgjegjësi shumë të madhe se shton kontrollin ndaj qeverive, veçanërisht atyre problematike. Prandaj kam përshtypjen se ky duhet të jetë një proces pa ndërprerje”,-tha Bregu
KOHA JONË SONDAZH

