Bylykbashi paralajmëron PS-në: S’ka reformë pa larguar nga zgjedhjet 4 klanet dhe 20 familjet mafioze të lidhura me Ramën
Menjëherë pas lajmërimit të kryedemokratit Lulzim Basha që PD-ja përmes refiormës zgjedhore do të kërkojë dhe dekriminalizimin e zgjedhjeve, ka ardhur konfirmimi i Oerd Bylykbashit, bashkëkryetarit demokrat të Komisionit të Posaçëm parlamentar për këtë reformë që u ngrit mbrëmjen e djeshme nga Kuvendi.
Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Bylykbashi paralajmëron se kjo nuk do të jetë reforma rutinë zgjedhore, por një reformë e thellë për dekriminalizimin e zgjedhjeve në Shqipëri. E në këtë linjë, teksa i referohet deklaratave të pak ditëve më parë të ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, Bylykbashi deklaron se pa u larguar nga zgjedhjet dhe pushteti 4 klanet dhe 20 familjet kriminale dhe padronët e tyre në qeveri me në krye Edi Ramën, shqiptarët ta harrojnë zhvillimin, demokracinë, apo integrimin.
“Sapo filloi reforma për DEKRIMINALIZIMIN e zgjedhjeve.
Kjo nuk do të jetë reforma zgjedhore rutinë e radhës. Pa larguar nga zgjedhjet dhe pushteti 4 klanet dhe 20 familjet kriminale dhe padronët e tyre në qeveri me në krye Edi Ramën, shqiptarët ta harrojnë zhvillimin, demokracinë, apo integrimin. Sepse ky koalicion i zi nuk do t’i lejojë ata të ngrenë kokë.” – shprehet deputeti demokrat Oerd Blykbashi në reagimin e tij.
Pas lëvizjes për dekriminalizimin e Kuvendit, kryetari i PD-së Lulzim Basha në takimin me gazetarët në selinë blu e vuri theksin tek dekriminalizimi i zgjedhjeve dhe kërkoi ngritjen e institucioneve për këtë çështje.
“Edi Rama ka nevojë për kriminelë për të mbledhur vota, kriminelët kanë nevojë për mbështetje sa herë janë në konflikt me ligjin brenda e jashtë. Edi Rama ka një pakt me krimin që u shpalosën në zgjedhjet e qershorit, në zgjedhjet e Dibrës dhe të 2015. Duhet dekriminalizimi i zgjedhjeve, jo vetëm votimi dhe numërimi elektronik që është kushti teknik” – tha Basha.
KOHA JONË SONDAZH

