CIA: Klima e biznesit e brishtë, 40% e të punësuarve në kufi të ekzistencës
”40% e të punësuarve në vend që i përkasin sektorit bujqësor janë në kufijtë e ekzistencës”, thuhet në vlerësimin e Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA) për zhvillimet ekonomike të vitit 2017 në Shqipëri.
CIA vëren se kodet komplekse të taksave dhe kërkesat e licencimit, sistemi i dobët gjyqësor, korrupsioni endemik, zbatimi i dobët i kontratave dhe çështjet e pazgjidhura të pronësisë, si dhe infrastruktura e vjetruar kontribuojnë në mjedisin e varfër të biznesit në Shqipëri, duke e bërë të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja.
”Sektori bujqësor, i cili zë më shumë se 40% të punësimit dhe një të katërtën në PBB kufizohet kryesisht në operacionet e vogla familjare dhe në bujqësinë e ekzistencës, për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, të drejtave të paqarta të pronësisë dhe ngastrat e vogla të tokës”,-thuhet në raport.
Furnizimi me energji elektrike i Shqipërisë është i pabarabartë, pavarësisht nga kapacitetet e transmetimit të përmirësuar me vendet fqinje. Megjithatë, qeveria kohët e fundit ka ndërmarrë hapa për të frenuar humbjet jo teknike dhe ka filluar të përmirësojë rrjetin e shpërndarjes, vë në dukje raporti.
Gjithashtu, me ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë, qeveria po ndërmerr hapa për të përmirësuar rrjetet e varfra të rrugëve dhe hekurudhave, një pengesë afatgjatë për rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Qeveria shqiptare ka forcuar mbledhjen e taksave dhe ka rritur në mënyrë të moderuar pagat dhe pensionet në një përpjekje për të ulur deficitin buxhetor. Vendi vazhdon të përballet me borxhin e lartë publik, duke tejkaluar kufirin ligjor të saj prej 60% të PBB-së në vitin 2013 dhe duke arritur në 72% në vitin 2016.
KOHA JONË SONDAZH

